Ish-kancelari gjerman që vdiq sot, kishte ngritur zërin për refugjatët kosovarë

Ish-kancelari gjerman që vdiq sot, kishte ngritur zërin për refugjatët kosovarë

Ish-kancelari gjerman, Helmut Kohl, i cili ndërroi jetë sot në moshën 87-vjeçare, u kishte bërë thirrje shteteve të Bashkimit Evropian gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, që të pranonin më shumë refugjatë nga Kosova.

Përmes një deklarate për media në muajin maj të vitit 1999, Kohl e kishte quajtur skandaloz faktin se disa shtete të BE-së argumentonin mes vete se cila të merrte refugjatët nga Kosova.

Derisa Gjermania, deri në atë kohë, kishte pranuar mbi 20 mijë refugjatë kosovarë në vendin e tyre, disa shtete të BE-së nuk kishin pranuar asnjë. Madje, Britania e Madhe, deri më 5 maj të vitit 1999, kishte pranuar vetëm 330 refugjatë kosovarë.

“Është skandaloze, kjo që po argumentohet rreth refugjatëve. Nuk e kuptoj se si mund të kemi një rend si ky që është”, kishte thënë Hack, raportonte gazeta irlandeze Irish Times, më 5 maj të vitit 1999.

Kohl besonte se Evropa kishte detyrime ndaj refugjatëve kosovarë, jo vetëm sepse gruaja e tij, Hannelore Kohl, ishte një refugjate që ishte detyruar të ikte nga shtëpia e saj në fund të Luftës së Dytë Botërore, shkruan Insajderi.

“Kur i shikoj pamjet televizive të refugjatëve, gruaja ime është ulur pranë meje dhe thotë: ‘Nuk mund ta shikoj më.’ Për shkak se ajo ishte vetë refugjate”, kishte deklaruar Kohl.

Kohl ka qenë aktiv në kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike të krizës së Kosovës, duke përdorur miqësinë e tij me presidentin rus, Boris Jelsin. /Insajderi.com