Ish-kandidati për kryetar të Prizrenit në garë për drejtor të ATK-së

Ish-kandidati për kryetar të Prizrenit në garë për drejtor të ATK-së

Veç ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija, për të parin e ATK-së ka aplikuar edhe një ish-kandidat për kryetar komune.

Shaqir Totaj, që në zgjedhjet e fundit dështoi të bëhet kryetar i Prizrenit nga radhët e PDK-së, tash po synon ta udhëheq Administratën Tatimore të Kosovës.

Totaj ka thënë për Gazetën Insajderi se synon postin e të parit të ATK-së, duke shtuar se është edhe kandidat serioz për kryetar të degës së PDK-së në Prizren.

“Po, po kam konkuruar për drejtor të ATK-së. Kam pas një ambicie për këtë post, por krahas asaj jam kandidat serioz për kryetar të degës së PDK-së në Prizren”, tha Totaj.

Aplikimin e tij, e vlerësoi si formal. Përderisa tha se ëshë njëri nga themeluesit e ATK-së.

“Unë jam një prej themeluesve të ATK-së afër 19 vjet, dhe nuk më ka marrë mendja mos me qit një aplikacion i cili do të jetë një konkurim formal. Zhvillimet tjera do të përcaktohen se në çfarë drejtimi do të lëvizim”, deklaroi Shaqir Totaj për Insajderin.

Totaj u mposht nga Mytaher Haskuka në garën për të parin e Prizrenit, në balotazh me një diferencë të vogël votash.

Emri i tij u përfol edhe si ministër të Inovacionit, pas ngritjes së aktakuzës ndaj Besim Beqajt në rastin Pronto, emërim i cili nuk ndodhi asnjëherë.

Konkursi për të aplikuar për të parin e ATK-së do të jetë i hapur deri në fundin e javës.

Në këtë pozitë ka aplikuar edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija.

Ai tha për Insajderin se i plotëson të gjitha kushtet që ta fitojë garën.

“Qe shtatë vite pa punu, edhe duhet me punu. Kushtet të gjitha i plotësoj. Dy vjet kryeshef,tri e gjysëm ministër, një vit zv/ministër i financave bash me ATK jam marrë, i dënuar s’jam”, tha Haraqija për Insajderin.

ATK-ja aktualisht udhëhiqet nga Sakip Imeri. /Insajderi.com