Xhavit Beqiri, ish-këshilltar i kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, ka kërkuar dorëheqjen e dy figurave kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe Agim Veliu, njofton Insajderi.
Përmes një postimi në Facebook, Beqiri është shprehur se dorëheqja e tyre është “mundësi për të treguar pak dinjitet”.
“Isë, Agim & company, përveçse si akt moral, dorëheqjen e keni mundësi për me tregue pak dinjitet! Shkoni… e keni katranosur!”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Ky reagim i Xhavit Beqirit vjen pasi procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë ka përfunduar. Deri tani janë numëruar mbi 60 për qind të votave dhe Lidhja Demokratike e Kosovës është aktualisht partia e tretë, pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës./Insajderi.com