Adil Behramaj, këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka deklaruar se Donika Gërvalla nuk mund të jetë kryediplomate e Kosovës pasi sipas tij “është në një linjë me propagandën serbe”.
Kjo deklaratë e Behramaj erdhi pasi Donika Gërvalla, deklaroi të martën se “do të mbrojë të gjitha viktimat e luftës në Kosovë”, përcjell Insajderi.
“Në vend që kryediplomatja të reflektonte, ajo edhe si qeveritare konfirmoi se krenohet me deponimin e shkarravinave politike kundër themeluesve të UÇK-së. Madje, paska treguar zell të madh për ta vazhduar përbaltjen edhe nga pozita e njeriut të dytë të Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, po ashtu deklaroi se “nuk mund të jetë e dyta në Qeveri dikush që Kosovën e konsideron si të turpshme”.
“Kjo përbaltëse politike, e cila as nderin e paraardhësve të saj nuk është në gjendje ta ruajë, na paska folur edhe për nderin”, vazhdoi Behramaj.
Donika Gërvalla, kishte deklaruar vite më parë se do të deponojë dokumente për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për këtë, Partia Demokratike e Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen apo shkarkimin e saj.
Këto zhvillime vinë në një kohë kur funksionarë të PDK-së akuzojnë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmani “që nuk po garantojnë në Gjykatën Speciale që ish-krerët e UÇK-së të mbrohen në liri”.
Gjykata Speciale po akuzon Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin “për krime lufte”. /Insajderi.com