Ish-koloneli i UÇK-së deklarohet pas “18-orësh intervistim” nga Gjykata Speciale

Ish-koloneli i UÇK-së deklarohet pas “18-orësh intervistim” nga Gjykata Speciale

Ish-koloneli i UÇK-së, Safet Syla ka thënë se është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në cilësinë e dëshmitarit “për dy ditë për 18 orë”.

Syla ka thënë për T7 se është intervistuar gjatë dy ditëve të fundit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale.

“Jam intervistuar për 18 orë nga Gjykata Speciale dhe më kanë marrë pa ftesë. Nga pyetjet e bëra kam kuptuar që me kanë intervistuar për rolin tim në luftë. Më kanë kontaktuar me telefon dhe më kanë marrë nga zyra pa pasur fare ftesë”, ka thënë Syla.

Sipas tij, ish-ushtarët e thirrur nga Specialja janë në pozitë të pa lakmueshme duke u shprehur se UÇK ka bërë luftë të pastër.

“Ne jemi në pozitë të palakueshme se Gjykata Speciale merret vetëm me njërën pale. UÇK ka bërë luftë të pastër, ne kemi bërë luftë për mbrojtjen e familjeve tona, besoj në drejtësi”, ka përfunduar ai.

Para se të fillonte lufta në Kosovë, Safet Syla ka shërbyer si komandant i stërvitjes në pikën stërvitore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tropojë të Shqipërisë.

Ndërkaq, gjatë luftës ka qenë kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e Zonës Operative të Pashtrikut.

Pas përfundimit të luftës, Syla shërbeu edhe si kolonel në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) – para se të emërohej drejtor i Zyrës për Çështje të Trashëgimisë së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Syla mban këtë pozitë prej më shumë se pesë vitesh. Zyra për Çështje të Trashëgimisë së TMK-së funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ai po ashtu është edhe kryetar i Zyrës së Veteranëve në Komunën e Shtimes. /Insajderi.com