
Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi ka folur për herë të parë pas ftesës që i është bërë nga Gjykata Speciale.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka shkruar se ai ka përkrahur vetë Gjykatën Ndëkombëtare. Ai ka shkruar se duhet të mbyllen kapitujt e viteve të kaluara.
“Unë jam nga ata qe kam përkrahur Gjykatën Ndërkombëtare, ne duhet të mbyllim kapitullin e viteve të kaluara. Jam i sigurt se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, fjalët dhe propaganda sugjestive si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen dhe ne edhe individualisht, eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa i cili ka qenë komandant i Zonës së Llapit, shpreson se Gjykata Speciale do ta zgjerojë fushëveprimin e saj dhe të ndiqen edhe krimet ekonomike.
“Pres që Gjykata Speciale të zgjeroj fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë. Mendoj se ka pasur një koordinim të qarqeve “akademike” e shoqërore për të defunksionalizuar gjithë ato institucione te krijuara me mund si gjykatat, universitetet dhe gjithçka qe i jepte fryme zhvillimit dhe rrugës se vendit për ecje se mbari”, ka shkruar ndër tjera ish-komandant Remi.
Ish-komandant Remi ka thënë se “Thurja e lëvdatave apo hetimet mbi atë se çfarë ka ndodhur para 18 vitesh,nuk mundet të ndikojë në kualitetin e jetës së qytetarëve tanë, hetimet mbi kohën e lavdisë do të përfundojnë shpejt dhe mirë”.
Mustafa, është ftuar nga Prokuroria për të udhëtuar drejtë Hagës më 14 janar të vitit të ardhshëm.
Avokati i Rrustem Mustafës, Arianit Koci deklaroi se klienti i tij ka marrë ftesë për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Me autorizimin e klientit tim z. Rrustem Mustafa, ju njoftoj se z. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë”, ka thënë Koci.
“Kjo është ftesë për intervistim. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar”.
Ndërkohë, një vit më herët në krye të iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ishte vënë presidenti, Hashim Thaçi i cili është subjekt i hetimeve. Iniciativa ishte ndalur pas presionit të dy ambasadorëve të akredituar në Prishtinë, atij amerikan dhe britanik.
Insajderi, kishte raportuar se si presidenti Thaçi kishte dështuar ta shpëtonte vetën nga Gjykata.
Ai kishte provuar që ta ndryshojë Ligjin me anë të Kuvendit për të negociuar me ndërkombëtarët arrestimin e tij. /Insajderi.com
Komandant Remi në Hagë – a do të jetë udhëtimi i tij njëdrejtimësh?