Fillimisht nuk e kishte pranuar se është ai që flet me Adem Grabovcin.
“Në vend të përgjigjes, do t’u kthej prapa pyetjet në vijim: – Prej nga ideja se personi në fjalë jam pikërisht unë? – Përse u dashka qenë unë, ndërsa jo ndonjë ‘x’ person tjetër i mundshëm?”, tha Burim Etemaj, disa orë pasi Gazeta Insajderi, publikoi dosjen e XXIII “Shërbëtorët medial të Adem Grabovcit”.
Më pas, Etemaj i kërkoi falje portalit Telegrafi për të cilin ish-kryeredaktori i gazetës Epoka e Re, pretendonte se kishte ndikim të vendoste se çka të botohej e çka jo.
Dhe në mbrëmje, Etemaj i kërkoi të gjithëve falje, duke shtuar se se biseda e tij me Grabovcin është nxjerrë nga konteksti dhe se ai “kurrë nuk ka qenë në shërbim të politikës”.
Kjo ka qenë kronologjia e reagimeve të gazetarit Etemaj, i cili aktualisht është këshilltar i nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti, gjatë së martës, ku ai është protagonist, i bisedës me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së.
Gazeta Insajderi, në asnjë prej dosjeve të publikuara gjatë këtij muaji nuk ka ndërhyrë, shkëputur ose prerë, asnjë audio-incizim nga përgjimet e siguruara e të publikuara në “Dosjet e Shefave”.
Ja dhe reagimi i plotë i tij:
Zëri im sot është dëgjuar në publik, gjatë një bisede me z. Grabovci, të zhvilluar në vitin 2011. Për hir të profesionit, për nderë të familjes e për respekt të lexuesve, nuk e mohoj se unë isha ai personi “X” në bisedën e lartë cekur. Unë publikisht kërkoj falje për shqetësimet që i kam shkaktuar sidomos familjes sime dhe lexuesve, dhe ndihem keq për fjalët e shkëputura, e të nxjerra nga konteksti, që u dëgjuan nga kjo bisedë private. Unë kam punuar më shumë se 10 vite si gazetar dhe tërë komuniteti i gazetarëve dhe lexuesit e medias ku kam punuar më njohin shumë mirë. Megjithatë, si profesionist i medias, e si njohës e si zbatues i etikës në gazetari, e pranoj se fjalët e mia, të dëgjuara në këtë bisedë telefonike, ishin joprofesionale dhe jashtë çdo etike gazetareske.
Të gjithë ata që më njohin e dinë se unë nuk kam qenë dhe nuk jam nga ata që kërkoj nga mediet ose kolegët gazetarë të botojnë diçka për këdo qoftë. Redaksisë së “Epokës së Re”, “Telegrafit”, “KosovaTimes” si dhe medieve tjera që përmenden në këtë bisedë të lirë ju kërkoj falje edhe publikisht, ashtu siç ju kam kërkuar falje privatisht edhe më herët gjatë ditës së sotme. Unë mburrem me punën time mbi 10 vjeçare dhe sjelljen time si gazetar dhe kryeredaktor profesional. Kjo mund të duket paradoksale, por unë nuk kam lejuar kurrë që dikush të ndërhyjë në punën time si gazetar, as unë nuk kam ndërhyrë në punën e askujt, pavarësisht raporteve shoqërore e kolegiale me të gjithë gazetarët. Opinioni i gjerë, sidomos komuniteti i gazetarëve, e di më së miri se kush janë ata gazetarë që kanë qenë dhe janë në shërbim të të tjerëve. Unë distancohem nga padrejtësia, jo vetëm kur përfshihet interesi im personal, por gjithashtu kur ajo krijon keqkuptime tek të tjerët./Insajderi.com