Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se kërkoi ryshfet në këmbim të lejeve për ndërtime në Brezovicë

Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se kërkoi ryshfet në këmbim të lejeve për ndërtime në Brezovicë

Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, dyshohet të ketë marrë ryshfet me qëllim që të jepte leje ndërtimore të kundërligjshme në Parkun Kombëtar “Sharri” në zonën e tretë dhe dytë të vikend zonës në Brazovicë, shkruan Insajderi.com.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se ekziston dyshimi se ai ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrimi i ndikimit” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri B.N., nga viti 2014 deri në Tetor 2018, në Shtërpcë, si person zyrtar – Kryetar i Komunës së Shtërpcës , ka marr para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare për dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e tretë dhe të dytë të  vikend zonës në Brezovicë, me këtë do të kryente veprën penale “Marrja e ryshfetit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga prokuroria.

Aksioni në Brezovicë

Tutje, në njoftimin thuhet se gjatë bastisjes së djeshme, në shtëpinë e Nikolliqit është gjetur edhe armë.

“Ndaj të njëjtit (B.N.), ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 21 Dhjetor 2021 në shtëpinë e tij në Shtërpcë , ka poseduar armën në kundërshtimin me nenin 5 të Ligjit mbi armët numër 05/L-022, në atë mënyrë me rastin e urdhër kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur një pistoletë e tipit Cërvena Zastava, dy karikator dhe 247 fishek të kalibrit 9 mm, dhe një armë shigjetë të cilat janë sekuestruar nga policia, me këtë do të ketë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Dhjetë persona janë arrestuar të martën në Shtërpcë gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për ndërtime pa leje.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ndër të arrestuarit përveç ish-kryetarit të komunës së Shtërpcës ësht♪7 edhe drejtori i Urbanizmit, dhe disa zyrtarë tjerë dhe pronarë të firmave.

Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronar të firmave”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Personat e arrestuar dyshohet se kanë kryer veprat penale si “marrja e ryshfetit”, “dhënia e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./Insajderi.com