Ish-kryetarja e Gjykates Kushtetuteses, Arta Rama-Hajrizi, ka deklaruar se ajo nuk i ka në llogari bankare gjashtë milionë euro siç figuron në formularin e Agjencisë Kosovare kundër Korrupsion, por i ka gjashtë mijë 311 euro, shkruan Insajderi.
Ajo ka thënë se shuma mbi 6.3 milionë euro ka figuruar shkaku i një lëshimi teknik në plotësimin e formularit të deklarimit të pasurisë.
Në një email drejtuar Koha.net ajo ka theksuar se do të t’u drejtohet zyrtarëve kompetent të kësaj agjencie për korrigjim.
“Duke respektuar gjithnjë të drejtën e mediave për informim dhe transparencë, për hir të së vërtetës dhe informimit të saktë dua t’ju njoftoj se ky nuk është lajm i saktë, meqenëse është i bazuar në të dhënat e shënuara gabimisht në formularin e deklarimit të pasurisë. Shuma e saktë e parave të gatshme është: 6,311.98 euro (pra 6 mijë), e jo 6 milionë. Bëhet fjalë për një lëshim teknik në plotësimin e Formularit të deklarimit të pasurisë, për ç’arsye unë nesër do t’u drejtohem zyrtarëve kompetent të kësaj agjencie që sa më parë të korrigjohet ky gabim”, ka shkruar Rama-Hajrizi./Insajderi.com