Ish-ministri Baliq dënohet me dy vjet burgim për sulm seksual

Ish-ministri Baliq dënohet me dy vjet burgim për sulm seksual

Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Pejës të enjten e 20 majit, për veprën penale “Sulm seksual”, për çka është dënuar me burgim dhe dënim plotësues.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi i lëndës, Shaqë Curri, i pandehuri Baliq, është dënuar me burgim prej dy vjetësh.

“I pandehuri sot është shpallur fajtor për vepër penale “Sulm seksual” dhe për këtë vepër është dënuar me burgim prej dy vjetësh dhe me dënim plotësues të ndalimit të ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej dy vjetësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, ka thënë për ‘Kohën’ zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti.

Baliq thotë se fajësia ndaj tij nuk është argumentuar, andaj do ta ushtrojë të drejtën për ankesë në Gjykatën e apelit.

“Gjykimi që e ka shqiptuar gjykatësi ka qenë juridikisht i padrejtë, pa asnjë argument, pa asnjë bazë juridike, pa asnjë provë materiale dhe unë jam i pafajshëm”, ka pohuar Baliq.

Në Prokurorinë Themelore të Pejës, siç bën të ditur zëdhënësi i saj, Shkodran Nikçi, do ta presin aktgjykimin në formën e shkruar dhe pastaj prokurori do ta vlerësojë nëse ka elemente për apelimin e aktgjykimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj kirurgut Baliq, drejtoria e Spitalit të Pejës ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa posa t’i konfirmohet spitalit zyrtarisht aktgjykimi nga Gjykata Themelore e Pejës.

“Ne do t’i drejtohemi gjykatës me një shkresë që të marrim informatë zyrtare mbi vendimin e saj dhe nëse ky vendim qëndron, patjetër që ne do t’i marrim masat e parapara ligjore, që nënkupton vendimin për suspendim deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, tha drejtor i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj.

Nëse ky aktgjykim bëhet i plotfuqishëm, Dreshaj tha se kirurgu Baliq do të përjashtohet nga puna nga Spitali i Pejës.

Numan Baliq është akuzuar se natën e 12 gushtit të vitit të kaluar, derisa ishte në detyrë të kujdestarisë në Spitalin e Pejës, e kishte sulmuar seksualisht në zyrën e tij nënën e një foshnje të hospitalizuar. /Insajderi.com