Ish-ministri Lluka: Energjia e shpenzuar nuk mund të paguhet nga Fondi për Veriun 

Ish-ministri Lluka: Energjia e shpenzuar nuk mund të paguhet nga Fondi për Veriun 

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se shpenzimet e energjisë elektrike në komunat veriore të vendit nuk mund të paguhen nga Fondi për Veriun.

Kjo pasi që sipas tij, ky fond është për investime kapitale dhe jo për shpenzime operative, sikurse rryma, përcjell Insajderi.

Lluka pagesën e energjisë elektrike për banorët në veri po e konsideron jo të barabartë karshi qytetarëve të vendit.

“Kjo nuk është në rregull edhe nga qytetarët e tjerë të Kosovës që ato taksa të shkojnë në veri të Kosovës, duhet me urgjencë që të punohet në këtë drejtim dhe të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e vendit. Janë disa forma dhe disa strategji që kanë qenë dhe janë në sirtarët e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik”, pohon ai për EO.

Ai kërkon të punohet me urgjencë dhe të ketë bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet institucioneve të vendit për të gjetur një zgjidhje adekuate.

Sipas tij, janë dy forma për të krijuar zgjidhje, forma e parë është për të paguar me para të buxhetit dhe e dyta është për inkasimin në veri.

“Nëse deri tash është marr një pjesë e energjisë nga transmisioni ndërkombëtarë për ta furnizuar veriun me energji tash kjo më nuk ndodh dhe janë dy forma, forma e parë është për ta paguar me para të buxhetit dhe e dyta është për inkasimin në veri dhe unë mendoj që në veprim afatshkurtër është në rregull pagesa që është aprovuar nga  Kuvendi për ta paguar në veri mirëpo nuk është në rregull që të vazhdojë tutje sepse duhet gjetur një strategji e qëndrueshme që të fillohen të inkasohen mjetet”, deklaron Lluka./Insajderi.com