Ish-ministrja e Arsimit: Masa për lirimin e pagesave për studentët kishte filluar nga Qeveria Hoti

Ish-ministrja e Arsimit: Masa për lirimin e pagesave për studentët kishte filluar nga Qeveria Hoti

Ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, tha se masa për lirimin nga pagesa e semestrit që e bëri Qeveria Kurti, kishte filluar nga Qeveria Hoti, njofton Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se nuk janë kundër këtij vendimi por që vendimet uniforme për të gjitha shtresat lënë shumë për të dëshiruar.
“Masa për lirimin nga pagesa e semestrit që e bëri Qeveria Kurti ishte nisur edhe nga Qeveria e kaluar për shkak të situatës së shkaktur nga pandemia COVID-19 e cila fatkeqësisht sot është edhe me prezente. Sigurisht, se ne nuk jemi kundër që studentët të lirohen nga pagesa e semestrit edhe pse vendimet uniforme për të gjitha shtresat lënë shumë për të dëshiruar (e njëjta ka ndodhur me shtesat e fëmijeve). Mirëpo ajo çka mund të themi është se Qeveria e VV-së nuk po ka kapacitete, ide dhe dije për t’u marrë me veprime të cilat e adresojnë në mënyrë të mirëfilltë reformën në arsim si dhe në fusha tjera”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, të premten, në një konferencë për media, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë bërë të ditur se nga 1 tetori, arsimi publik në nivelet Bachelor dhe Master, do të jetë pa pagesë, kurse në studimet e doktoraturës nuk do të ketë lehtësime./Insajderi.com