
Ish-basketbollisti i njohur Ferit Zekolli, i cili ka qenë zyrtar në Departamentin e Sportit në Qeverinë e Kosovës, i është bashkuar sot zyrtarisht Vetëvendosjes (VV).
Lajmin për aderimin e Zekollit në VV, e ka konfirmuar vetë partia përmes një komunikate për medie.
“Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot iu bashkua edhe një figurë e shquar e sportit kosovar, Ferit Zekolli. Basketbollisti më i njohur shqiptar i të gjitha kohërave nga tash do ta fuqizojë edhe më shumë Alternativën e Lëvizjes në pjesën e sportit, me përvojën që ka në fushën përkatëse”, njofton VV-ja.
“Në takimin me Kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin, si dhe kandidatët për deputetë Xhelal Sveçla dhe Nexhat Kryeziu, Zekolli theksoi do të jep kontribut maksimal për ndryshimin e domosdoshëm që duhet të ndodh në Kosovës. E ky ndryshim, bëhet vetëm përmes angazhimit konkret – vetëm përmes VETËVENDOSJE!-s”, thuhet në komunikatë.
Zekolli ka qenë Koordinator për Integrim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ai u pensionua nga kjo pozitë në mars të vitit të kaluar. /Insajderi.com