Ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, i dënuar për vrasje të rëndë dhe manipulim me prova, pritet që brenda 30 ditëve të kuptojë se çfarë do të vendoset për ligjshmërinë e dënimit ndaj tij nga Gjykata Supreme, transmeton Insajderi.
Në instancën më të lartë gjyqësore në vend është mbajtur seancë publike, pas ankesës së avokatit të Spahiut, i cili ka thënë se Gjykata Themelore e Prizrenit dhe ajo e Apelit kanë bërë shkelje të shumta dhe se është dashur që klientit të tij t’i bëhej ekzaminim mendor.
Ish-zyrtari policor i dënuar me burgim të përjetshëm, gjatë seancës në Gjykatën e Lartë ka kërkuar falje për rastin, duke thënë se nuk ka ndodhur me planifikim, por në gjendje të afektit mendor.
“Më vjen keq për rastin, nuk ka ndodhur me ndonjë planifikim, por ka ndodhur në gjendje të afektit mendor, unë u kërkoj falje familjes dhe të gjithë popullit”, është shprehur ai.
Spahiu në Speciale është paraqitur këtë të enjte, pasi mbrojtja e tij është ankuar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit dhe asaj të Apelit për dënim me burgim të përjetshëm.
Shefki Spahiu, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, me aktgjykim të Gjykatës Themelore të Prizrenit, u shpall fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Manipulim me prova”, për vrasjen e 32-vjeçarit Jetmir Aliaj nga fshati Mushtisht i Suharekës, në vendin e tij të punës, në marsin e vitit 2019, raporton Koha.
Jetmir Aliaj ishte vrarë me armë zyrtare paraditen e 17 marsit të para dy vjetëve, në një kazino afër rrugës për në fshatin Reshtan të Suharekës.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, thuhet se Shefki Spahiu, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, me dashje dhe në mënyrë dinake, e privon nga jeta Jetmir Aliaj, punëtor i kazinosë.
Disa ditë pas kësaj vrasjeje, me iniciativë të kryetarit të Suharekës, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për mbylljen e të gjitha kazinove. /Insajderi.com