Ish-presidenti Kroacisë – Serbisë: Nuk mund ta pushtoni Kosovën me ushtrinë tuaj

Ish-presidenti Kroacisë – Serbisë: Nuk mund ta pushtoni Kosovën me ushtrinë tuaj

“Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj”.

Kështu është deklaruar, Stjepan Mesiq, ish-president i Kroacisë, gjatë një interviste që kishte me Radio Evropa e Lirë.

Mesiq ka folur për zhvillimet në pikat kufitare Kosovë – Serbi, ngjarje pas të cilave ka ardhur edhe kërcënimi nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili “I ka dhënë kohë Kosovës, ose do të marrin masa”.

Kjo mendësi e Serbisë, sipas ish-presidentit kroat tregon se “Serbia s’e ka ulur kokën”, më saktësisht, “nuk e ka kuptuar atë që e kishte marrë vesh Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore”.

“Gjermanët kanë ulur kokën. Serbia, për fat të keq, nuk e ka ulur kokën”, ka thënë ndër tjerash ai.

Sipas tij, Serbia nuk e kritikoi Millosheviqin se pse shkoi në luftë, por pse e humbi luftën.

“Tani, disa nuk mund të pajtohen me faktin se kanë shkuar në rrugë të gabuar dhe se duhet të hapin bashkëpunimin me fqinjët e tyre. Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë”, ka deklaruar ai.

Të hënën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në disa pika kufitare me Serbinë.

Kjo për ta zbatuar reciprocitetin e targave, që cilësohet të jetë edhe pjesë e Marrëveshjes së Brukselit në kuadër të lëvizjes së lirë.

Pas këtyre zhvillimeve, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se “Prishtina duhet t’i largojë forcat e saj dhe të ulen për të biseduar”.

Në rast se Kosova s’e bën këtë, presidenti serb “paralajmëroi masa”.

Ndërkohë, zyrtarë ushtarakë serbë kanë deklaruar se “janë të gatshëm në rast se marrin urdhër nga Vuçiq”.

Makineri ushtarake serbe qarkulluan mbrëmjen e së martës pranë kufirit me Kosovën.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, iu ka thënë ambasadorëve të vendeve perëndimore se duhet të vlejë i njëjti standard si për Kosovën ashtu për Serbinë.

“Ose dy palët kanë të drejtë, ose të dyat gabim”, ka deklaruar Kurti. /Insajderi.com