Ish-presidenti Sejdiu tregon pse u vendos që 17 shkurti të jetë data e Pavarësisë

Ish-presidenti Sejdiu tregon pse u vendos që 17 shkurti të jetë data e Pavarësisë

Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, saktësisht të dielën në orën 15 e 39 minuta, 13 vjet më parë.

Cilat kanë qenë prapaskenat e asaj dite dhe një dite më parë do t’i kuptoni përmes një intervistë të realizuar me ish presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu në Klan Kosova.

Sejdiu ka thënë që kanë qenë shumë ditë përpara shpalljes së pavarësisë, që i duheshin për t’u bërë gati, njofton Insajderi.

“Nuk është një ditë e vetme. Janë disa ditë të cilat mund të konsiderohen si ditë të parapërgatitjeve intensive për të shpallur edhe pavarësinë e Kosovës, sepse ishin kompleks ngjarjesh dhe poashtu një volum i madh punësh që duhet të kryheshin”, tha Sejdiu.

“Ecja jonë deri në vendimin përfundimtar që 17 shkurti të jetë kjo ditë, është një varg përgatitjesh që janë bërë në kuptimin e takimeve të shumta që kemi pasë, posaçërisht me miqtë e Kosovës, sepse dëshironim që ajo ditë të ishte një ditë e suksesit të madh për të gjithë ne. Poashtu, të jetë e mbështetur fuqishëm sikurse që ishte i mbështetur procesi i deriatëhershëm i bisedimeve”, ka thënë Sejdiu.

“Ka pasë ide që janë plasuar në opinionin publik, se duhet të jetë kjo ditë apo tjetra. Zakonisht ishte prognoza e 28 nëntorit të vitit 2007, që de facto nuk ishte e mundshme të realizohej për shumë faktorë. Ndër faktorët kryesorë, ishin se kishte disa çështje të mbetura që të përfundohen si duhet. Ishte çështja e konsultave tona, sidomos me njerëzit nga SHBA-të dhe vendet anëtare të BE-së”.

“Ishte poashtu që të eliminojmë pjesën e pengesave ose shkaseve për idhnime eventuale, apo diçka që pjesa e propagandës serbe e bënte, se nëse do të kemi një shpallje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës, pasi ata ishin kundër gjatë gjithë kohës. Kishim një garancë të jashtëzakonshme të ruajtjes së integritetit të Kosovës dhe ruajtjes të një stabiliteti normal që duhet të ketë Kosova në ecje pra në zhvillim”.

Ish presidenti Sejdiu tregon tutje pse pikërisht data 17 shkurt.

“Është një hulumtim yni i thellë, i cili do të siguronte në mënyrën më të mirë të mundshme një realizim pa pengesa të formave të caktuara eventuale që mund të paraqiteshin. Kemi menduar që e diela është jo vetëm pjesë e vikendit , por edhe një kohë ku shumë nga faktorët ndërkombëtarë të mos jenë në orarin e tyre të rregullt të punës dhe të mos hynë në pjesën e shqetësimeve eventuale që mund të ndodhnin pasi kishim një trysni të veçantë, posaçërisht të Federatës Ruse për të ndërhyrë tek përfaqësuesit special, të Këshilli i Sigurimit dhe forma të tjera”.

“Dhe në këta faktorë kemi vendosur që e diela e 17 shkurtit të realizohet ajo që kishim planifikuar. Them se janë bërë përgatitje jashtëzakonisht të mira teknike që kanë të bëjnë me pjesën e ceremonive që duhej të udhëhiqen. Janë bërë përgatitje të veçanta që kanë të bëjnë me adresimet që duhet ndodhin me faktorin ndërkombëtar dhe me vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara për njohje dhe adresime në misionin evropian”./Insajderi.com