Ish-prokurorja e EULEX – Xhabir Zharkut: Ti ke kërcënuar ushtarë të UÇK-së

Ish-prokurorja e EULEX – Xhabir Zharkut: Ti ke kërcënuar ushtarë të UÇK-së

Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh dhe ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku janë konfrontuar mes vete në rrjetin social Facebook, lidhur me ndjekjen penale dhe gjykimin ndaj Zharkut.

Ndaj një shkrimi të gjatë të publikuar në Facebook nga Bamieh, në të cilin ajo akuzonte EULEX-in për korrupsion brenda misionit, ish-kryetari i Kaçanikut ka reaguar dhe ndërhyrë në diskutim. Xhabir Zharku ka akuzuar ish-prokuroren e EULEX-it për manipulime të dëshmive në rastin e tij.

“Sa i përket rastit tim, kur më keni hetuar mua, ju nuk keni qenë e interesuar që t’i merrni faktet edhe pse ju kam ofruar fakte se ‘dëshmitari’ që keni përdorur kundër meje ishte përdorur vetëm në mënyrë që unë të akuzohesha dhe dënohesha”, i ka shkruar Zharku, ish-prokurores së EULEX-it në hapësirën e komenteve.

Bamieh ka mohuar akuzat, derisa ka thënë se posedon dëshmi që Zharku ka kërcënuar disa ushtarë të tjerë të UÇK-së.

“Po unë e di se cfarë prova keni dhënë ju dhe vet dëshmitë tuaja e kanë vërtetuar fajësinë tuaj. Ju kurrë nuk keni vuajtur asnjë dënim dhe nuk kam asnjë fakt të them se aktakuza ndaj jush ishte politike. Unë e di që ju keni kërcënuar luftëtarë të tjerë të UÇK-së”, i ka replikuar Bamie, Zharkut.

Bamieh ishte prokurore e rastit Zharku. Aktakuza që ajo kishte ngritur ndaj Zharkut, kishte bërë që Gjykata e EULEX-it ta dënonte me tri vjet burgim Xhabir Zharkun. Zharku ishte akuzuar dhe dënuar për veprat penale të pasurimit të paligjshëm dhe armë mbajtjes pa leje.

Zharku, në vitin 2012, ishte arratisur nga Kosova për në Suedi. Ai ende jeton dhe punon në liri, në shtetin skandinav. /Insajderi.com