Ish-qiraxhiu i Kalasë së Vushtrrisë, kallëzim penal ndaj Shpresa Ramës

Ish-qiraxhiu i Kalasë së Vushtrrisë, kallëzim penal ndaj Shpresa Ramës

Pronar i “Dardania Castle” nënshkrues i kontratës për shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë, Mentor Salihu ka paraqitur Kallëzim Penal kundër Shpresa Ramës, Drejtoreshë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Vushtrrisë.

Ish-qiraxhiu i Kalasë së Vushtrrisë – kontrata e të cilit u shkëput njëanshëm nga Instituti për Mbrojtje të Monumenteve të Kosovës që tërthorazi e pranoi se ishte e jashtëligjshme, përmes kallëzimit penal pretendon se Rama ka kryer disa vepra penale, shkruan Insajderi.

“Përfshirë mashtrimin, hakmarrjen, keqpërdorimin e detyrës dhe autoritetit zyrtar, konflikt interesi dhe ushtrim ndikimi”.

“Këtu përfshihen prapaskenat dhe ndikimet e saj që mashtruan masën, duke keqpërdorur mediat dhe shoqërinë civile për interesat e saj. E gjithë kjo vetëm që nuk iu nënshtrova Presionit  të saj”, thuhet në njoftimin e Salihut për media.

Muajin e kaluar Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMK), i dha me qira një pjesë të kalasë së Vushtrrisë, kompanisë “Dardania Castle” të shndërroj në restorant.

Pronari i kompanisë së cilës iu dha e drejta e shfrytëzimit, Mentor Salihu, djali i dajës së kryetarit të komunës Bajram Mulakut.

Por pas reagimit të qytetarëve, shoqërisë civile dhe mediabve, kjo kontratë ishte anuluar.

Vet Salihu në njoftimin për media thotë se për realizimin e kontratës ka kaluar nëpër procese ligjore dhe transparente.

“Projekti është i përpunuar deri në detajet më të vogla, i qasshëm për të gjithë,  e sidomos për njerëzit kulturës dhe artit për të cilët kam ofruar edhe përkrahje, duke synuar zhvillimin e turizmit kulturor në komunën e Vushtrrisë”, thotë ai. /Insajderi.com