Ish-rektori humb betejën gjyqësore me UP-në për titullin “Emeritus”

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hedhë poshtë ankesën e ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Zejnel Kelmendi, i cili kishte bërë padi ndaj Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” rreth kompensimit të pagesës për “Emeritus” – titulli më i lartë nderi që e jep UP-ja.

Ish-rektori humb betejën gjyqësore me UP-në për titullin “Emeritus”

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Zejnel Kelmendi, e ka humbur betejën gjyqësore kundër institucionit që e ka drejtuar më herët. Ai kishte çuar në gjyq një vendim të pasardhësit të tij, Ramadan Zejnullahut.

Kelmendi mban titullin profesor  “Emeritus” dhe deri në vendimin e Zejnullahut ka marrë pagë të barasvlershme me atë të profesorit të rregullt në UP.

Vendimi i Zejnullahut ia hoqi këtë benefit. Por, gjyqi nuk i dha drejtë Kelmendit në vlerësimin e tij se ky vendim është i parregullt, raporton Insajderi.

“Hedhet poshtë si e pa lejueshme padia e paditësit Zejnel Kelmendi, nga Prishtina, kundër të paditurit Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në çështjen juridike kontestuese anulim i njoftimit dhe kompensim i të ardhurave personale, pasi që kjo çështje juridike përbën çështje të gjyqe-varësisë/Litispendenca/”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës që mban datën 29 korrik 2016.

Sipas vendimit të siguruar nga Insajderi, Kelmendi për të njëjtën çështje kishte ngritur padi edhe më herët dhe i ishte hedhur poshtë.

Andaj, sipas gjyqit e njëjta lëndë nuk mund të shqyrtohet sërish. Autoritetet kishin hedhur poshtë të njëjtën padi më datën 18 maj të këtij viti.

Kelmendi e mban këtë titull që nga viti 2007. Kishte marrë pagë mujore deri më 2015.

Paga ishte e barasvlershme me atë të profesorit të rregullt, duke nisur nga 501 euro më 2007 e deri në mbi 1 mijë e 400 euro më 2015-pasi që pagat e profesorëve ishin rritur përgjatë viteve.

Kur më 2015 ishte vendosur që Kelmendi të mos kompensohej më ishin përmendur dy arsyetime nga ish-rektori Zejnullahu.

E para kishte të bënte me atë se Kelmendi ishte dekoruar në kundërshtim me statutin dhe nuk e meritonte titullin.

Ndërsa, e dyta kishte të bënte me moshën. Kelmendi kishte mbushur 70 vjet dhe statuti i ri ndalonte pagesat për profesorët e dekoruar që e arrinin këtë moshë.

Ndërkaq statusi i vjetër nuk ishte decidiv. Parashihte “periudhë afatmesme”. Ish-rektori Kelmendi tashmë ka mbushur 77 vjet.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar se procedura e dhënies së këtij titulli për Kelmendin ishte e parregullt.

Ai kishte marrë këtë titull në kohën kur universiteti drejtohej nga Enver Hasani.  Arsyetimi që ishte dhënë në vendimin për këtë titull binte ndesh me statutin.

Statuti precizonte se kandidati për këtë titull duhet të dallohet për nga arritjet e veçanta akademike dhe shkencore.

Pavarësisht kësaj, në arsyetimin e vendimit askund nuk përmendet se ai veçohet për të arriturat e veçanta akademike dhe shkencore.

“Titulli i sipërshënuar prof. dr. Zejnel Kelmendit, i jepet për kontribut të çmuar në konsolidimin dhe organizimin e mësimit në Universitetin e Prishtinës menjëherë pas përfundimit të luftës, promovimit dhe internacionalizimit të Universitetit tonë, me qëllim të ngritjes së reputacionit të Universitetit në botën akademike si dhe për angazhimin e tij për shtyrjen e proceseve pozitive dhe reformimin e Universitetit gjatë dy mandateve sa ishte rektor i Universitetit të Prishtinës”, thuhet në arsyetimin e vendimit për titull.

Tetë vite pas marrjes së këtij titulli, më 2015, menaxhmenti i UP-së vlerësoi se nuk ishin plotësuar kushtet që Zejnel Kelmendi të shpallej “Profesor Emeritus”.

“Për këtë angazhim individi mund të dekorohet, por jo t’i jepet një titull nderi për të cilin Statuti qartazi përcakton të arriturat e veçanta akademike si kriter”, pati deklaruar Zejnullahu.

Fat të ngjashëm me Kelmendin kanë pasur edhe dy ish-rektorët e tjerë – Mujë Rugova dhe Faik Brestovci.

Menaxhmenti i kaluar ua pati ndërprerë pagesat këtyre tre profesorëve, por titulli “Emeritus” u mbetet si titull nderi, gjatë gjithë jetës.

Kelmendi, Brestovci dhe Muja patën thënë se rreth kësaj çështjeje do t’i drejtohen gjykatës./Insajderi.com