Ish-ushtaraku i LDK-së tregon se a do të emërohet ministër

Ish-ushtaraku i LDK-së tregon se a do të emërohet ministër

Anton Quni thotë se arsyeja se pse LDK-ja po tenton që të dakordohet me VV-në edhe për presidentin që do ta pasojë Hashim Thaçin është se në këtë mënyrë shmangen zgjedhjet e reja, e mundësohet një qeveri stabile dhe e sigurtë, që do të thotë mandat afat gjatë me partinë e Albin Kurtit.

Derisa Lidhja Demokratike tashmë po insiston që të marrë udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si tjetër dikaster që po thuhet se ka zgjedhur Isa Mustafa në takimin me Albin Kurtin është edhe Ministria e Forcës dhe Sigurisë. Në një nga këto dy dikastere po përmendet se do të emërohet Quni.

Në një intervistë për Gazetën Express, Quni ka thënë se ende nuk kanë marrëveshje përfundimtare me partnerin e tyre VV-në.

“Ne jemi ende në negociata me partnerin tonë VV-në, ende nuk e kemi një marrëveshje përfundimtare që rrumbullakson dukjen e kabinetit të ardhshëm qeveritar. Në momentin që arrihet marrëveshja, atëherë fillon faza tjetër brenda partisë tonë ku emërohen individët përkatës për dikaster”, ka thënë Quni.

Tutje ai ka shtuar se “është lidershipi i LDK-së që përcakton se me kënd do të prezantohet në qeveri. Personalisht, nuk ju kam ikur asnjëherë sfidave, përgjegjësive e detyrave që më janë caktuar. Me qenë përgjegjës për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe vendit tim do të ishte për mua një përgjegjësisë e detyrë për të cilën do të punoja me nder për ta përmbushur, por, ende nuk ka emërimi apo caktime në asnjë pozitë, sepse fillimisht na duhej një marrëveshje mes LDK e VV e cila besoj se do të arrihet së shpejti”.