Ish zëvendësja e ambasadorit të SHBA në Beograd flet për djegien e ambasadës

Fajtori kryesor për sulmin në ambasadën amerikane në Beograd ishte ish kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica, ka deklaruar Jennifer Brush në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ish zëvendësja e ambasadorit të SHBA në Beograd flet për djegien e ambasadës

Ish ndërtesa e përfaqësisë diplomatike amerikane në rrugën Knjaz Millosh në Beograd është djegur gjatë protestave “Kosova është Serbi” në shkurt të vitit 2008, disa ditë pasi Kosova e shpalli pavarësinë.

Në këtë dhunë një person e ka humbur jetën, mirëpo dënimi me kusht është shfuqizuar për katër kryerës të dënuar, derisa tre të tjerë janë liruar, për shkak të “mungesës së  provave”.

“Nuk ka pasur asnjë reagim, gjë që na ka habitur pa masë. Më vonë kam marrë vesh nga dëshmitarët okular se kryeministri i atëhershëm Vojisllav Koshtunica, gjatë këtij sulmi, ka qëndruar në shërbim në tempullin Shën Sava, ku e ka marrë informatën për sulmin në ambasadën amerikane. Përgjigja e tij ishte “Mos reagoni”. Që do të thotë se Koshtunica ka dhënë urdhër që të mos ndërmerret asgjë”, thekson Brush.

Pesë ish funksionarë të lartë të policisë duhet që në tetor të paraqiten para gjykatës, në seancën përgatitore në procedurë e cila po zhvillohet kundër tyre për shkak të mos pengimit të sulmit në ambasadën amerikane dhe atë gjermane.

Jennifer Brush vlerëson se fakti që seanca është caktuar për korrik, mirëpo në momentin e fundit u shty, tregon për jo gatishmërinë e pushtetit në Serbi ta zgjidhë rastin, i cili tashmë 11 vjet po shtyhet.

“Ka filluar me administratën e kryeministrit Koshtunica, nëpër administratën e Partisë Demokratike të Boris Tadiqit, pas të cilit kanë ardhur Tomisllav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq. Bëhet fjalë për një sërë të partive politike të cilët nuk kanë ndërmarr asnjë masë në lidhje me kundërvajtje ndërkombëtare”, thekson ajo.

Ish zëvendësja e ambasadorit ka thënë se mbrojtja e objekteve të huaja diplomatike dhe personelit diplomatik është paraparë në mënyrë precize me Konventën e Vjenës, nënshkruesja e të cilës është edhe Serbia./Insajderi.com.