Ish-komandanti i NATO-s tha se Aktakuzat e Specialës pengojnë përparimin e Kosovës, reagojnë mediat serbe

Ish-komandanti i NATO-s tha se Aktakuzat e Specialës pengojnë përparimin e Kosovës, reagojnë mediat serbe

Ish-komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të NATO-s gjatë  bombardimit të Jugosllavisë, Wesley Clark, ka thënë se aktakuzat e Gjykatës Speciale për “krimet” e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dëmtojnë përparimin e Kosovës.

Për këtë deklaratë të tij ka pasur reagime edhe nga mediat në Serbi të cilat i  kanë shkruar pas deklaratës së ish-komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të NATO-s  se propozim-aktakzuat e shpallura nga Gjykata Speciale për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pengojnë përparimin e Kosovës.

Agjencia  e lajmeve serbe, Tanjug, HOBOCTM dhe media tjera serbe i kanë kushtuar rëndësi kësaj deklarate që në Serbi cilësohet “kontraverse”.

Sipas tij përpjekjet për vendosjen e pengesave në përparimin e Kosovës nuk janë ndalur kurrë.

“Mocioni i aktakuzës kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është vazhdim i aktiviteteve për të penguar përparimin e Kosovës”, tha Clark për RTK.

Ish-komandanti i NATO-s tha se “nuk e ka idenë”, nëse aktakuzat ndaj pjesëtareve të UÇK-së janë të vërteta apo jo, por sipas tij këto aktakuza ishin vazhdimësi e veprimtarive të njohura që 20 vite.

Kujtojmë se disa ditë para takimit në Uashington në mes Kosovës dhe Serbisë iniciuar nga i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, Gjykata Speciale me propozim-aktakuzë ka bërë që ky takim të anulohet – për të vazhduar dialogu në Bruksel. /Insajderi.com/