“Ishte një mosmarrëveshje futbollistike” – Deputeti i Nismës flet për përplasjen ndërmjet Krasniqit dhe Sveçlës

“Ishte një mosmarrëveshje futbollistike” – Deputeti i Nismës flet për përplasjen ndërmjet Krasniqit dhe Sveçlës

Një përplasje fizike ka ndodhur mbrëmë ndërmjet deputetit të PSD-së, Frashër Krasniqi dhe atij të VV-së, Xhelal Sveçla.

Përplasjen pas emisionit në KTV e ka mohuar Sveçla, duke thënë se ishte vetëm një fjalosje.

Por kjo u demantua nga deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri e cila ishte prezente në debat.

Ajo e konfirmoi se ka pasur përleshje ndërmjet dy deputetëve që dikur ishin në një parti.

Por gjithë këtë situatë si një “mosmarrëveshje futbollistike” po e cilëson deputeti i Nismës, Enver Hoti.

Hoti që gjithashtu ishte prezent në debat ka thënë për Gazetën Insajderi se ka qenë një mosmarrëveshje verbale mes deputetëve, të cilat sipas tij ndodhin përditë në fushat e futbollit.

“Ajo që mund të them unë është se ka qenë një debat pozitiv, njerëzit kanë shprehur idetë dhe qëndrimet e veta. Krejt do ta kisha përmbledh një mosmarrëveshje verbale, apo mosmarrëveshje fubollistike që i shohim përditë ndoshta nëpër fusha të futbollit, por pa pasoja pa dëme”, ka thënë Hoti.

Ai ka vlerësuar se këto momente janë mos-durim i çastit, që sipas tij nuk duhet të bëhen debat publik.

“Nganjëherë ndodhin gjëra që janë të padëshirueshme por do të thoja që ka kaluar mirë, dhe uroj që kurrë të mos kemi mosmarrëveshje. Unë kam qenë aty, por nuk ka diçka tjetër që vlen mu theksu dhe mendoj se nuk duhet të bëhet as debat publik. Këto gjëra i shohim përditë edhe nëpër fusha të sportit që na shfaqin një mos-durim të çastit dhe janë kaluese”, përfundoi Enver Hoti për Insajderin.

Në lidhje me këtë situatë mbrëmë ka folur edhe moderator i emisionit, Adriatik Kelmendi.

Kelmendi s’ka dashur të komentojë se çfarë ka ndodhur mbrëmë, duke theksuar se debati ka shkuar mirë. /Insajderi.com