Ismaili: Dy qeveritë e fundit kanë lënë shumë zbrazëtira, PDK-ja do të dal e para

Ismaili: Dy qeveritë e fundit kanë lënë shumë zbrazëtira, PDK-ja do të dal e para

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se Qeveria Kurti dhe Qeveria Hoti i kanë lënë shumë punë partisë së tij, në rast se vjen në pushtet, njofton Insajderi.

Ai në emisionin Rubikon, ka thënë se këto dy qeveri kanë degraduar vendin në shumë fusha edhe si pasojë do të duhet një plan për t’i rimëkëmbur.

Ismaili tutje është shprehur optimist se PDK-ja do të rritet gjatë kësaj periudhe derisa Vetëvendosje do të bie, përkundër disa sondazheve që nxjerrin të parën partinë e Kurtit.

“Në sondazhe duhet të shihet edhe se kah shkon trendi. Ky është një trend që dita-ditës po ndërron. Brenda këtyre ditëve deri në zgjedhje konsideroj që do të shkojnë në drejtime të kundërta. Lëvizja Vetëvendosje do të fillojë që të bie me debate që do të shihet dhe me debatet që do të paraqesim”.

Ismaili tutje ka vazhduar duke thënë se Vetëvendosje ende nuk ka prezantuar kandidatin dhe planin për qeverisje, prandaj, sipas tij, do të largohen votuesit.

Derisa shtoi më pas se gara për zgjedhjet e sivjetme po bëhet mes VV-së dhe PDK-së.

Sa i përket Avdullah Hotit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismaili ka thënë se ai është kandidat që nuk zgjon kërshëri për planet e tij qeverisëse dhe se ai nuk mund të sjellë më ndonjë risi në udhëheqje të qeverisë.

“Si PDK jemi të përgatitur dhe kemi një kandidat për kryeministër me përvojë, kemi plane dhe ekipe”, ka shtuar në fund ai./Insajderi.com