Ismaili në Klinikën e Oftamologjisë, përuron pajisjet e reja

Ismaili në Klinikën e Oftamologjisë, përuron pajisjet e reja

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar sot Klinikën e Oftamologjisë në QKUK, ku është përuruar kontingjenti i parë i pajisjeve në vlerë prej 350 mijë euro. Ky furnizim i kësaj klinike me aparaturën e nevojshme i rritë kapacitetet e saj për diagnostikimin dhe operimin e sëmundjeve të syve.

Gjatë kësaj vizite, Ismaili ka përuruar pajisjet e reja dhe shumë të domosdoshme të cilat janë blerë së fundmi për këtë klinikë.

Ismaili tha se të gjithë qytetarët të cilët kanë pasur probleme me sy dhe deri sot janë trajtuar jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, tani këto shërbime do të nisin t’i marrin në QKUK.

“Sot është një tjetër ditë e mirë për shëndetësinë. Po nisim transforimimin edhe të një klinike e cila për shumë vjet ka varfëruar xhepin e qytetarëve dhe buxhetin e shtetit. Me pajisjet e reja, tani të gjitha shërbimet diagnostike dhe operative për sëmundjet e syve mund të merren në Klinikën e Oftamologjisë në QKUK”.

Drejtori i Klinikës së Oftamologjisë, Adem Miftari, ka thënë se kjo klinikë nuk është furnizuar asnjëherë më një numër kaq të madh pajisjesh që nga themelimi i saj më 1982.

“Me ardhjen e pajisjeve të reja nuk do të kemi më nevojë për t’i dërguar pacientët jashtë klinikës tonë, sepse shumica e shërbimeve si diagnostike ashtu edhe terapeutike do të kryhen në Oftamologji. Kjo është një ditë e madhe për klinikën tonë dhe falënderojmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në për këtë iniciativë”.

Miftari më tej tha se me investime të tilla kjo klinikë do mund të kryejë shumë intervenime.

“Mbi 50% më shumë mund të kryhen dhe nuk kanë nevojë që të shkojnë jashtë vendit. Mbase kjo klinikë mund të bëhet qendër referuese ne 2 vitet e ardhshme në regjion”.

Në mungesë të pajisjeve adekuate, vetëm gjatë vitit 2018, Fondi i Sigurimit Shëndetësorë ka paguar rreth 1 milion euro për kërkesat e Klinikës së Oftamologjisë jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore.