Ismaili për kërkesën e VV-së për bashkëpunim: Çfarë ndodhi që i hoqët vijat e kuqe ndaj PDK-së

Ismaili për kërkesën e VV-së për bashkëpunim: Çfarë ndodhi që i hoqët vijat e kuqe ndaj PDK-së

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe deputet nga radhët e kësaj partie, Uran Ismaili, i është përgjigjur kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunim rreth mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ismaili ka thënë se fillimiksht LVV duhet të tregojë se ku kanë mbetur vijat e kuqe të saj për PDK-në të cilat i ka shfaqur në fillim dhe çfarë ndodhi që tash këto vija u hoqën.

Ai tutje ka rikujtuar standardet e dyfishta të kësaj partie opozitare, pasi në kohën e mocionit të LDK-së, kur kishte 15 të infektuar me COVID-19 në ditë, ajo kërkonte të mos rrëzohej Qeveria, ndërsa sot e bën të kundërtën, megjithëse shënohen mbi 200 të infektuar në ditë në Kosovë.

“E para, LVV duhet të tregojë se çfarë ndodhi që i paska fshirë vijat e kuqe me PDK-në? E dyta, LVV duhet të tregojë sa është serioze në iniciativën për mocionin që e ka nisur në Kuvendin e Kosovës? Nga përvoja e kaluar, ky duket më shumë si një shoë politik i radhës sesa një përpjekje e sinqertë, sepse, votat e LVV-së dhe PDK-së nuk mjaftojnë për rrëzimin e Qeverisë. Përkundrazi, e shtyjnë këtë Qeveri edhe për 6 muaj, sepse ligji thotë që mocioni i mosbesimit mund të ngritet vetëm një herë në gjashtë muaj”, ka thënë ai.

Deklarata e plotë e Ismailit:

Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media, paralajmëroi fillimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, por shpresat i paska varur në Partinë Demokratike të Kosovës.

Në një moment të këtillë, kur kjo parti po kërkon bashkëpunim të drejtpërdrejtë me PDK-në, atëherë pashmangshëm shtrohen disa çështje që kërkojnë përgjigje publike.

E para, LVV duhet të tregojë se çfarë ndodhi që i paska fshirë vijat e kuqe me PDK-në?

E dyta, LVV duhet të tregojë sa është serioze në iniciativën për mocionin që e ka nisur në Kuvendin e Kosovës?

Nga përvoja e kaluar, ky duket më shumë si një shoë politik i radhës sesa një përpjekje e sinqertë. Sepse, votat e LVV-së dhe PDK-së nuk mjaftojnë për rrëzimin e Qeverisë. Përkundrazi, e shtyjnë këtë Qeveri edhe për 6 muaj, sepse ligji thotë që mocioni i mosbesimit mund të ngritet vetëm një herë në gjashtë muaj.

Prandaj, VV duhet të tregojë se a e ka kontaktuar paraprakisht ndonjë parti politike që t’i japë formë dhe përmbajtje këtij bashkëpunimi që po kërkon nga PDK? A e mendon seriozisht rrëzimin e Qeverisë, pra sigurimin e 61 votave, apo është iniciativë vetëm për shoë politik?

Tema e radhës lidhet me dyshimin tonë ndaj iniciativës së Lëvizjes Vetëvendosje në kohë pandemie. Kur LDK nisi mocionin për Qeverinë Kurti, Lëvizja Vetëvendosje ankohej për rrëzimin e Qeverisë në kohë pandemie me vetëm 15 raste infektimi në ditë.

E tani kur Kosova është ndoshta në kulmin e pandemisë, me nga 15 raste të vdekjeve dhe mbi 200 të infektuar në ditë, kjo sot nuk po i pengon Lëvizjes Vetëvendosje për ta ndërmarrë iniciativën e mocionit të mosbesimit për Qeverinë. Pra, kemi të bëjmë me standarde të dyfishta të VV-së. /Insajderi.com/