Ismaili premton sigurimet shëndetësore në vitin 2018

Ismaili premton sigurimet shëndetësore në vitin 2018

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thënë se sistemi i sigurimeve shëndetësore në Kosovë do të filloi fazat e para të implementimit në vitin 2018.

Këto dhe deklarata të tjera ministri Ismaili i bëri në një intervistë në emisionin “ Magazina “ të Radio Dukagjinit.

“Unë tani si ministër i ri, dhe Ministria e Shëndetësisë jemi në përpilim te planeve së bashku me Bankën Botërore që të dalim me një plan konkret dhe jo të gjatë. Të mos zvarritemi me vite, por që të dalim me një plan konkret që t’i paraqesim e t’i promovojmë si dhe të implementojmë sistemin e sigurimeve shëndetësore… Unë jam shumë i sigurt që ky problem nuk do të jetë i zvarritur për kohë të gjatë, besoj që gjatë vitit të ardhshëm do të shohin një lëvizje shumë pozitive duke parë fazën e parë të sigurimeve shëndetësore”, ka thënë Ismaili.

I pari i shëndetësisë gjithashtu tha se duhet ndërruar edhe i tërë sistemi shëndetësor, pasi siç thotë ai aktualisht kemi një sistem të keq menaxhuar.

“Në qoftë se ti e krijon një sigurim shëndetësor i cili mbledh para prej qytetarëve dhe në anën tjetër nuk ke menaxhim të duhur. Ne e dimë që për momentin sektori i shëndetësisë nuk është në menaxhimin e duhur, e në anën tjetër, ti mbledh miliona e miliona të qytetarëve, atëherë çka bënë tjetër, përveç se një sistemi të keq menaxhuar i jep edhe më shumë para, për të keq menaxhuar… Konkretisht në vitin 2018 ne do të shohim fazën e parë të implementimit të sigurimeve shëndetësore”, ka shtuar Ismaili.

Më tutje Ministri premtoi se gjatë mandatit të tij e ka prioritet edhe ndaljen e dukurisë, që qytetarët të kërkojnë shërim jashtë vendit.