Ismaili: Prishtina mund të zhvillohet në kryeqytetin më atraktiv në Ballkan

Ismaili: Prishtina mund të zhvillohet në kryeqytetin më atraktiv në Ballkan

“Për mua Prishtina e ka potencialin për t’u zhvilluar në kryeqytetin më atraktiv në Ballkan”.

Kështu ka deklaruar kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të kryeqytetit, Uran Ismaili, i cili duke folur rreth kandidaturës së tij, tha se tërë projektin e ka fokusuar kah e ardhmja.

Sipas tij, Prishtina është vend që çdoherë ka krijuar trende e pikërisht për këtë thotë se garon që kryeqyteti të ketë një të ardhme më të mirë.

Ndër të tjera, Ismaili theksoi se do të del me plan konkret që t’i zhvillojë shkollat dhe që fëmijët të jenë të aftësuar për botën digjitale, si dhe shpalosi idenë e tij në lidhje me “Prishtinën e Gjelbër”.

“Në mandatin tim e kam bërë planin që problemet e përditshme t’i përfundojë brenda dy vjetëve, siç janë parkingjet, çerdhet, shkolla, etj., sepse Prishtina ka kapacitet që ta arrijë këtë”.

“Unë besoj se do ta përfundoj jetën time në Prishtinë, nuk kam qytet tjetër. Qyteti për momentin ka një kaos urbanistik, por nga kandidatura ime unë po flas për Prishtinën digjitale e të gjelbër, e që të jetë destinacion i vizituar edhe nga të rinjtë e Evropës dhe jo veç nga diaspora.”.

“Prishtina e së ardhmes duhet të jetë e gjelbër, qyteti të mos jetë vetëm për vetura, por edhe për këmbësorë e çiklistë. Pastaj mbeturinat që duhet t’i konsiderojmë për riciklim dhe t’i përdorim si energji ose gjëra të tjera. Pra Prishtina e gjelbër nënkupton që nga ndërtimi, shërbimet dhe hapësirat e gjelbra”, u shpreh ai në “Rubikon” të Klan Kosovës.

Ismaili mes tjerash tha se debati për kryeqytetin bashkë me kundërkandidatët është i domosdoshëm.

“Kam respekt për të gjithë kundër kandidatët. por e shoh si një garë tejet të rëndësishme për gjithë qytetarët. Debatet janë të rëndësishme për problemet që ka Prishtina dhe diskutimi për të gjitha problemet bashkë me ta është shumë i domosdoshëm”.

Në zgjedhjet lokale që mbahen më 17 tetor, gara për Prishtinën do të zhvillohet ndërmjet Arben Vitisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Ramës prej Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Uran Ismailit nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në garë janë edhe Daut Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re./Insajderi.com