Ismaili – Qeverisë: Duhet t’i siguroni vaksinat anti-COVID

Ismaili – Qeverisë: Duhet t’i siguroni vaksinat anti-COVID

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kërkuar nga Qeveria Kurti që të sigurojë 2.5 milionë vaksina për imunizimin e të gjithë qytetarëve, njofton Insajderi.

Ismaili, ka thënë se qytetarëve u duhet përgjigjje nga kryeministri, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, se kur është muaji që do ta përfundojë vaksinimin dhe që Kosova mund të hapet e t’i kthehet normaliteti.

“Qytetarëve u duhen përgjigjet nga Albin Kurti dhe Arben Vitia, të cilët duhet të japin përgjegjësi për pasivitetin e madh, shpërqendrimin e prioriteteve dhe mungesën e transparencës. Qytetarët duhet ta dinë se kur është muaji që Kosova do ta përfundojë vaksinimin, kur është muaji që Kosova mund të hapet, dhe të kthehet normaliteti. Këtë përgjigje e presin sot ata.”, ka thënë Ismaili.

Gjatë fjalimit të tij, sekretari i PDK-së, ka shtuar se ajo që kemi parë prej formimit të kësaj Qeverie ishte se “prioritet politik” i Albin Kurtit dhe kësaj Qeverie ishin zgjedhjet në Shqipëri.

“Prioritet për të ishte Bojkeni, e jo qytetari i Kosovës.”, ka thënë Ismaili.

Ismaili i ka kërkuar Kurtit që ta kthejë Qeverinë e Kosovës kah qytetarët e saj.

“Qytetarët, që edhe sot janë duke u përballur me vështirësi dhe të vetmuar pa ndihmën e Qeverisë. Xhepi i qytetareve është zbrazur në përballje me pandeminë. Çdo ditë ata blejnë barna të stër-shtrenjtuara, sepse tri Qeveritë krijuan favore për tregtarët e barnave të cilat plaçkitën qytetarët në kohë pandemie.”, ka deklaruar Ismaili./Insajderi.com