Italia mbështetë Kosovën për dialogun e Kroacia për anëtarësim në BE, urimet që i mori Kurti nga 5 vende

Italia mbështetë Kosovën për dialogun e Kroacia për anëtarësim në BE, urimet që i mori Kurti nga 5 vende

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon të marrë urime nga liderët e shteteve të ndryshme, për detyrën e tij të re.

Derisa presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i kërkoi Kurtit që ta shqyrtojë vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, kreu i Qeverisë së Kosovës mori letër edhe nga kryeministri i Italisë, Mario Draghi.

Ai ia ka përmendur Kurtit dialogun me Serbinë, duke e cilësuar përfundimin e tij element qendror në stabilizimin e plotë të kornizës rajonale.

“ Formimi i Qeverisë suaj bie në një moment historik të karakterizuar nga sfidat globale të paraqitura nga pandemia COVID-19, të cilat përcillen nga prioritetet që do të adresohen në nivel kombëtar – nga konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimi i ligjit deri te rimëkëmbja ekonomike – dhe stabilizimi i plotë i kornizës rajonale, ku rezultati i suksesshëm i dialogut me Serbinë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian përfaqëson një element qendror”, thuhet në letrën e Draghit, ku ai shton se në sfidat e saj, Kosova mund të llogarisë në mbështetjen dhe kontributin e Italisë.

Kurti mori letër urimi edhe nga Kroacia. Kryeministri i këtij vendi, Andrej Plenkoviq i ka uruar suksese liderit të LVV-së në detyrën e re.

Ai i ka shprehur mbështetje Kurtit, duke u shprehur i bindur se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të forcohen.

Plenkoviq po ashtu i ka ofruar Kurtit mbështetjen e Qeverisë së tij për ta avancuar perspektivën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Qeveria ime dhe unë qëndrojmë të gatshëm për të ju asistuar juve në çdo mënyrë që mundemi në transferimin e njohurive dhe përvojës tonë, dhe për të punuar me ju dhe qeverinë tuaj në avancimin e perspektivës së Kosovës për në NATO dhe BE”, thuhet në letër, ku përmendet edhe gatishmëria për bashkëpunim ekonomik bilateral.

Kryeministrin e ri të Kosovës e ka uruar edhe kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babish.

“Dëshiroj ta theksoj mbështetjen tonë ndaj Republikës së Kosovës në përpjekjet e saj për fuqizimin e parimeve demokratike, ndërtimin e marrëdhënieve miqësore brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe ndaj ambicieve të saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në letrën e Babish.

Lideri autokrat i Hungarisë, Viktor Orban, e ka uruar po ashtu Albin Kurtin. Ai i ka uruar suksese kryeministrit të ri të Kosovës, duke i thënë se mund të llogarisë në mbështetjen e Hungarisë.

“Ju siguroj se Kosova mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e Hungarisë në objektivin e saj të integrimit evropian. Me shpresën se do t’ju takoj së shpejti personalisht, ju uroj suksese të mëdha dhe shëndet të mirë për punën tuaj me përgjegjësi të lartë”, thuhet në letrën e Orban. /Insajderi.com