Ivanov i jep mandatin Zaevit për formimin e Qeverisë

Ivanov i jep mandatin Zaevit për formimin e Qeverisë

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ia ka dorëzuar mandatin për formimin e Qeverisë së re, liderit të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, pasi ka marrë, siç tha, garancitë e kërkuara për ruajtjen e karaterit unitar të shtetit.

Janë tejkaluar të gjitha pengesat për dhënien e mandatit. Sot po i qasemi përmbushjes së nenit 84 alineja 1 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë për ndarjen e mandatit për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja e cila ka shumicën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, ka propozuar zotin Zoran Zaev që të jetë kandidat të cilit do t’i ndahet mandati për formimin e Qeverisë së Maqedonisë”, tha Ivanov.

Ndërkohë Zoran Zaev, i cili kryeson me shumicën parlamentare të përbërë nga partia që e drejton, LSDM-ja dhe partitë politike shqiptare, ka theksuar se në emrin e shumicës parlamentare, ashtu siç ka premtuar edhe përpara qytetarëve edhe Presidentit të shtetit, këtij të fundit i ka dorëzuar një letër si garanci se “zotohet për mbrojtjen e unitetit, sovraniteti, pavarësisë dhe multietnicitetit të shtetit”.

Garantojmë respektimin e rendit aktual kushtetues, por dhe mbrojtjes territoriale të Republikës së Maqedonisë. Garantojmë mbrojtjen e interesave shtetërore”, ka theksuar Zaev, menjëherë pas marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë.

Zaev ka thënë se “asnjë dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim që do të ishte kundër të lartpërmendurave nuk mund të jetë kusht për formimin e Qeverisë”.