
Presidenti i Maqedonisë Georgi Ivanov sot nga foltorja e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për bashkëkombësit e tij të mos dalin në referendum për ndryshimin e emrit të vendit, të cilin e ka quajtur “vetëvrasje historike”, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Si qytetar unë kam marrë vendim që më 30 shtator nuk do të votoj. Dhe jam i bindur se ju bashkëqytetarët tanë, gjithashtu do të merrni vendim të mençur”, ka thënë Ivanov para Asamblesë së Përgjithshme të KB në Nju Jork, transmeton France Press.
Ivanov e ka quajtur ndryshimin e emrit të vendit “lak rreth fytit dhe shkelje flagrante e sovranitetit”, transmeton AP. Ivanov i ka kritikuar zyrtarët amerikanë edhe evropianë të cilët javëve të fundit e kanë vizituar Maqedoninë për të paralajmëruar se ndryshimi i emrit ofron për Maqedoninë shpresën e vetme që ndonjëherë t’i bashkëngjitet NATO-s dhe BE-së.
“Nëse na e merrni shpresën, çfarë do të na mbetet”, ka pyetur Ivanov.
Qytetarët e Maqedonisë duhet të deklarohen më 30 shtator në referendum se a janë për marrëveshje për zgjidhje të kontestit 25 vjeçar me Greqinë rreth emrit, me të cilën do të ndërrohet emri i Maqedonisë në Maqedonia Veriore, me garanci për identitetin kombëtar maqedonas, gjuhën dhe kulturën./Insajderi.com.