“Politikë e vjetër në rrethana të reja”

Izetbegoviq: Nëse Serbia e njeh Kosovën, do të hapet oreksi për Bosnjën

Izetbegoviq: Nëse Serbia e njeh Kosovën, do të hapet oreksi për Bosnjën

Kryetari i Partisë për Aksion Demokratik në Bosnjë dhe Hercegovinë. Bekir Izetbegoviq, ka folur për një rrezik të ri serb në drejtim të Bosnjës dhe Hercegovinës, njofton Insajderi.

Sipas Izetbegoviq, rreziku serb ndaj BH, varet nga epilogu i marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Izetbegoviq paralajmëron se, “nëse Serbia nuk i kënaq orekset ndaj Kosovës, atëherë si kompensim ndaj asaj humbje, do të drejtohet kah BH”.

“Nuk besoj se do të ketë një lider midis serbëve që do të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës. Nëse kjo ndodh, do të hapen orekset për BH-në, do të kërkohet kompensim për serbët dhe Serbinë”, ka thënë Izetbegoviq për Radio Sarajevo.

Sipas tij, do të ketë shumë biseda dhe zhurmë, të cilat do të zvogëlohen me kalimin e kohës dhe nga të cilat nuk do të ketë asgjë “sepse edhe në Kosovë edhe në BH, pala serbe dhe ushtria serbe kanë kryer krime dhe spastrim etnik, ndërsa ajo palë me “Marrëveshjen e Dayton-it fitoi tepër në BH”.

“E gjithë kjo do të çojë në mënyrë të pashmangshme në konflikte të reja dhe në një skenar që sigurisht nuk do t’i nevojitet askujt, veçanërisht jo serbëve të Bosnjës. Gjenocidi nuk mundet dhe nuk do të shpërblehet me pavarësi (të Republikës Serbe) me çdo kusht”, tha ai.

Paralajmërimet e Isetbegoviqt, për një ndryshim strategjisë së interesave serbe në drejtim të BH, ka edhe një bazë historike.

Të paktën që nga koha e Krizës Lindore 1875-1878, e deri më sot, Serbia gjithmonë ka vepruar me planin A dhe B.

Sa herë që nuk ka arritur që Serbia të depërtojë në ujërat e Adriatikut përmes korridorit shqiptar, sytë i ka kthyer nga korridori boshnjak, dhe anasjelltas./Insajderi.com