Izraeli mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për Antisemitizmin

Izraeli mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për Antisemitizmin

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Lior Haiat, ka falënderuar Kosovën për vendimin që është marrë nga Qeveria – që të radhitet krah shteteve që e luftojnë antisemitizmin, njofton Insajderi.

Me anë të një shkrimi në rrjetet sociale, Haiat ka përgëzuar kryediplomaten kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla për hapin e rëndësishëm që mori lidhur me këtë vendim.

“Izraeli përgëzon ministren e jashtme Meliza Haradinajn, që mori hapa të rëndësishëm për vendimin që Kosova të radhitet krah shteteve që luftojnë antisemitizmin”, ka shkruar Haiat.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka shkruar dje se “Urrejtja ndaj hebrenjve ka shkaktuar edhe Holokaustin, që sot është ndër memoriet më të trishta dhe të turpshme të botës”.

“Kosova duke qenë vetë viktimë e ideve monstruoze të spastrimit etnik dhe zhbërjes së identitetit të saj, e kupton mirë peshën e diskriminimit. Për më shumë, miratimi i sotëm i vendimit të Qeverisë afirmon angazhimin për të promovuar dhe forcuar kujtesën ndaj Holokaustit, dhe për të luftuar Antisemitizmin në të gjitha format e saj, dhe është në harmoni me të gjitha shtetet demokratike që nuk njohin gjuhë të urrejtjes Anti-semitike”, thuhej në postimin e saj pas mbledhjes së Qeverisë.

Dje Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur, ka marrë vendim që të bëhet pjesë e vendeve kundër antisemizmit. /Insajderi.com