Ambasadori i Izraelit në Serbi, Jahel Vilan, e ka cilësuar të pamundur mundësinë që ky shtet të tërheqë njohjen e Kosovës.
Në një deklaratë për “Tv Prva”, Vilan ka thënë se përderisa dy shtetet janë pajtuar me marrëveshjen për themelim të raporteve diplomatike, nuk ka asgjë kontestuese mes dy vendeve.
“Vendimi i Izraelit për ta njohur pavarësinë e Kosovës u bë nën presion amerikan, por mos të harrojmë se kjo u bë në korniza të një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës dhe Amerikës dhe jo me ne. Nuk po përpiqem të fshihem pas kësaj, vendimi u bë nga Izraeli pas shumë vitesh mosnjohjesh. Ishte kundër interesave tonë në Serbi”, ka thënë ai.
I pyetur nëse Izraeli do të tërheqë njohjen e Kosovës, ambasadori e ka cilësuar të pamundur një gjë të tillë.
“Nuk e shoh të mundshme për momentin. Një marrëveshje është arritur, Izraeli e ka njohur Kosovën dhe Kosova do të hapë ambasadën në Jerusalem. Nuk shoh tërheqje të njohjes përderisa dy shtetet janë pajtuar për këtë në marrëveshje”, ka deklaruar më tej Vilan. /Insajderi.com