
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, thotë se reciprociteti ndaj Serbisë është më i vështirë për t’u mbajtur sesa taksa. Ish-kryeparlamentari, komenton edhe zhvendosjen e fotografisë së presidentit Thaçi nga kryetarja aktuale e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Pasi Osmani tha se fotografinë e Thaçit e zëvendësoi me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, për inspirim. Krasniqi konsideron se inspirim duhet marrë edhe nga Adem Demaçi dhe Adem Jashari.
“Largim nga “politika inspiruese” institucionaliste?! Politikë që e proklamojnë në çdo rast. Por, të gjithë ata që ulen në ulësen institucionaliste, duhet ta dinë se në ato institucione i ka dërguar Lëvizja Kombëtare për Çlirim dhe inspirimin do të duhej ta merrnin nga Adem Demaçi e Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare – Adem Jashari. Pasi këta ishin kryeinspiruesit e Lirisë e të Pavarësisë sonë”, ka thënë Krasniqi për Sinjalin.
Në një intervistë Krasniqi ka përgjigje edhe për kritikat e shumta që Fatmir Limaj po ia bën Albin Kurtit.
“Njerëzit i kanë argumentet e bindjet e tyre dhe është mirë kur i bëjnë publike, ashtu siç edhe e kanë të drejtën edhe të parashikojnë. Ajo që unë e kam vërejtur, se paku gjatë tridhjetë viteve të fundit në politikën shqiptare, është kjo: Krahu i rezistencës kombëtare, Lëvizja Kombëtare për Çlirim, sidomos te burgosurit politikë, për partitë politike dhe shefat e tyre, kanë qenë të pa dëshiruar (me ndonjë përjashtim), në dhënien e përgjegjësive shtetërore. Mbase kjo ka qenë edhe ndonjë porosi nga të fuqishmit që kanë synuar ta krijojnë një klasë të “re” politike të dëshirueshme (pranueshme) për Beogradin?!”, u shpreh ai.
Ndërsa, i pyetur nëse ka ndonjë këshillë për Vjosa Osmanin si kryeparlamentare, meqë ai vetë ka drejtuar këtë institucion për dy mandate, Krasniqi është përgjigjur shkurt.
“Nuk kam, për faktin se politikajtë në Kosovë nuk kanë nevojë për këshilla. Shikoni ke e marrin për këshilla. Madje të gjithëdijshmit, nuk kanë nevojë për këshilla. Këshilla më e mirë për secilin nga ne është: Respektimi i institucioneve sipas Kushtetutës e Ligjeve”, ka thënë Krasniqi.
Kur mendimin dhe vlerësimin për kabinetin qeveritar të drejtuar nga Albin Kurti, Krasniqi thotë se do ta jap pas gjashtë muajve, kur t’i shohin rezultatet fillestare. /Insajderi.com