Jakup Krasniqi paraqitet të hënën para Speciales

Jakup Krasniqi paraqitet të hënën para Speciales

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, do të paraqitet për herë të parë në Gjykatën Speciale, të hënën e 9 nëntorit, njofton Insajderi.

Seanca dëgjimore ndaj tij do të fillojë nga ora 11:00.

Aktakuza kundër Jakup Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020.

Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë po në këtë ditë.

Siç njoftojnë nga Dhomat e Specializuara, aktakuza e ngarkon Jakup Krasniqin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Përveç Krasniqit, aktakuza nga Specialja i janë konfirmuar edhe ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi. /Insajderi.com