
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, feston sot 77-vjetorin e lindjes.
Në llogarinë e tij në Facebook, Berisha ka publikuar një fotografi me dy gishtat lartë, mbi të cilën ka shkruar se “sot jam 77 herë më i lumtur”.
Kjo pasi siç ka thënë ai, kjo ditëlindjen e gjen “më të motivuar se kurrë në mbrojtjen e të vërtetave që unë besoj dhe në një mision të ri jetik dhe vendimtar për fatin e Partisë Demokratike dhe demokracisë në Shqipëri”.
“Mirënjohje të pakufishme të gjithëfuqishmit, familjes time, miqve dhe mbështetësve të mi në Shqipëri dhe kudo që janë, të cilët me besimin dhe mbështetjen e tyre bëjnë të mundur të përmbushim se bashku këtë mision!”, ka shkruar Berisha më tej.

Sali Berisha
Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, rreth një muaj më parë e ka larguar Berishën nga partia që vetë e ka themeluar.
Largimi i Berishës nga PD-ja vjen pasi Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan atij dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në siç është thënë, “korrupsion të gjerë”.
Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhej se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.
Shtetet e Bashkuara e arsyetojnë vendimin me faktin se, i njëjti është në vazhdën e riafirmimit të përkrahjes së SHBA-së, për reformat kryesore politike dhe institucionet demokratike të Shqipërisë.
Berisha i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar që të publikohen fakte. /Insajderi.com