Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, që është kryetar i komisionit për hetimin e privatizimeve, ka thënë se mbi 15 mijë dokumente të privatizimeve, janë në proces të shqyrtimit, njofton Insajderi.
“Mandati i punës së Komisionit është gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi por ne jemi fokusuar që ta përmbyllim këtë punë brenda kësaj periudhe, në fazën e parë është miratuar plani i punës, e kemi miratuar listën e dëshmitarëve, grupi i parë i ka 21 dëshmitarë. I kemi angazhuar katër ekspertë të jashtëm që tani janë pjesë e ekipit tonë dhe po na ndihmojnë në shqyrtimin e dokumenteve. Kemi siguruar dokumentacion dhe dëshmi nga AKP-ja, nga Supremja, nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit dhe shumë institucione të tjera. Në posedim për momentin kemi rreth 15 mijë dokumente, janë të gjitha dokumentet e privatizimit të aktgjykimeve të Supremes dhe dokumente të tjera. Do të kërkojmë sërish dokumente por ky është grumbulli i parë, tanimë kemi kaluar në fazën e dytë, kemi filluar me intervistime. Rreth 30% e dëshmitarëve të grupit të parë janë intervistuar, të premten vazhdojmë me intervista të tjera dhe në dy javët e ardhshme përmbyllet grupi i parë, për të vazhduar me grupin e dytë”, ka deklaruar Çeku në Interaktiv
Ai, ka thënë se në fund të procesit të hetimit, do të publikohen shkeljet dhe të gjitha të gjeturat në mënyrë kronologjike./Insajderi.com.