Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë do të varet nga situate me pandeminë COVID-19.
Ai tha se si sindikatë janë të gatshëm për fillimin e procesit mësimor, nëse s’ka ndonjë vendim ndryshe nga institucionet përgjegjëse.
Nëse mbyllen shkollat, Jasharaj thotë se do të mobilizohen që mësimi online të jetë sa më i suksesshëm.
“Se si do ta kemi gjysmë vjetorin e dytë varet nga situata që do ta ketë Kosova dhe shtetet tjera nga pandemia dhe varet nga institucioni i cili sjellë vendime në këto raste pra IKSHPK-ja. Ne jemi të përgatitur për të filluar në shkolla, mirëpo nëse IKSHPK-ja vendos ndryshe atëherë do të përpiqemi të mobilizojmë mësimdhënësit që të jemi sa më të suksesshëm sa i përket mësimin online”, është shprehur ai.
Tutje, Jasharaj tha se viti shkollor 2020-2021 është më i vështiri, sidomos për nxënësit që kanë ndjekur mësimin online.
“Ky vit shkollor është nga më të vështirët dhe këto vështirësi do të na përcjellin edhe në gjysmë vjetorin e dytë. Mësimdhënësit do të bëjnë të pamundurën që të realizojnë procesin mësimor aq sa munden. Por, do të ketë telashe dhe do të shtohen nëse do të jemi të detyruar të kalojmë në mësimin online. Do të jetë shumë e vështirë për atë pjesën e nxënësve që ishin më shumë se 9 mijë që kanë pasur telashe në mësimin online” tha ai për EO.
Jasharaj tregon se për vitin 2021 synojnë trajnimin e mësimdhënësve dhe zbatimin e plotë të kontratës së punës./Insajderi.com