Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, tha se në dhjetor mund të hyjnë në grevë, përcjell Insajderi.com.
Jasharaj deklaroi se kjo mund të ndodh për shkak se përkundër insistimit të vazhdueshëm të tyre për të diskutuar me kryeministrin, Albin Kurti, kjo është bërë e pamundur.
Sipas tij, Kurti nuk ka qenë i gatshëm që t’i dëgjojë asnjëherë kërkesat e tyre dhe se për këtë, në mbledhjen e radhës me Këshillin e Përgjithshëm, do të vendoset se cilat do të jenë masat sindikale që do të marrin.
“Këto janë apele me dëshirën e vetme që të ulemi dhe të bisedojmë, por nëse ky hezitim i ministrit Murati por edhe i kryeministrit, atëherë më së largu që mund të them pa precizuar ndonjë datë, por që do kemi një takim me Këshillin drejtues dhe nëse ata vendosin sidomos në pjesën e parë të dhjetorit, atëherë e keqja do të vijë që unë nuk mund t’i saktësojë, por në këtë situatë që jemi dhjetori mund ta gjejë arsimin në greva”, tha ai për EO.
Po ashtu, ai shtoi se Ligji i Pagave duhet që sa më shpejt të zbatohet si dhe si gurimet shëndetësore e rritja e premtuar e pagave për këtë sektor.
“Ata po na pyesin se çfarë po bëhet me Ligjin e pagave dhe a është duke punuar Qeveria që t’i heq ato që i ka thënë Kushtetuesja. Poashtu një çështje tjetër shumë e ndjeshme që Kurti nuk e ka thënë një fjalë të mirë është edhe ajo e sigurimeve shëndetësore dhe ngritja e pagave, ku nga janari i vitit 2018 nuk kemi pasur ngritje tjetër”, theksoi tutje ai./Insajderi.com