Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), pritet të dorëzojë shumë shpejt padi ndaj Ministrisë së Financave dhe asaj të Arsimit, transmeton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili tha se kanë kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfere, shtesat prej 100 eurove, kurse nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, llogaritjen e orëve të mësimit plotësues.
“Ne do të bëjmë dy padi, njërën do ta bëjmë dedikuar për ministrin Hekuran Murati, ngase Qeveria e kaluar kishte sjellë vendim që të mbështes sistemin arsimor në kohë pandemie dhe të mbështesë të gjithë të punësuarit në arsimin parauniversitar e universitar me një shtesë prej 100 euro në pagat e tyre, me arsyetimin që e kemi dhënë ne dhe ata i kanë pranuar për shkak të rrezikut permanent nga Covidi dhe për shkak të shtimit të volumit të punës. Aq më tepër me vendimin e fundit të ministres Nagavci volumi është shtuar edhe më shumë sepse ka filluar së implementuari mësimi plotësueses për ata nxënës që nuk kanë arritje të duhura dhe ne po presim të shohim në muajin që jemi se a do të veprojë ministri Murati. Nëse jo, atëherë SBAShK do ta dorëzojë në gjykatën gjegjëse lëndën për të kërkuar fillimin e procedurës së zbatimit”, tha Jasharaj.
Ai thekson që nëse ndodh që orët e mësimit plotësues të mos paguhen, do ta dërgojë edhe ministrinë e Arsimit në gjykatë sepse nuk kanë zbatuar kushtet e kontratës dhe atë që ligji e thotë.
“Në anën tjetër nëse ndodhë që orët e mësimit plotësues nuk do të llogariten dhe nuk do të shpërblehen ka gjasa që edhe për këtë çështje ta dërgoj ministrinë e arsimit në gjykatë ngase kontrata e thotë qartë, janë 20 orë normë javore dhe ditët e punës janë nga e hëna deri të premten dhe kontrata po ashtu neni 11 e saktëson se çdo orë mbi këtë normë duhet të paguhet në vlerën e orës së rregullt. Pra janë këto dy çështje që mund të na përplasin në gjykatë”, tha Jasharaj. /Insajderi.com