Jashari paralajmëron parti të re

Jashari paralajmëron parti të re

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se për gjithçka që ka ndodhur pas luftës në Kosovë, përgjegjës janë politikanët, duke theksuar se si familje ata kanë kërkuar gjithmonë unitet nga politikanët, kurse këtë nuk e kanë parë deri më tani, njofton Insajderi.

Jashari ka treguar se do të kandidojë edhe njëherë si i pavarur për kryetar të Skenderajt kurse tha se për shkak të këtij mos-uniteti, nëse e sheh nevojën do të formojë një parti apo iniciativë të re përmes së cilës do të hyjë në politikë në nivel vendi.

I pari i Skenderajt, gjithashtu ka thënë se tash largohen të rinjtë nga Kosova më shumëse gjatë viteve të ’90-ta.

“Faji është tek liderët tonë politik, edhe të asaj kohe edhe të kësaj kohe. Liderët politik i kanë fajet vet, jo vetëm për këtë Gjykatë Speciale, por për gjithçka që ka ndodhur në këtë vend, duke u nisur edhe nga zhvillimi ekonomik që është shumë me rëndësi se shumë sene tjera. Neve në njëfarë forme, pa keqkuptime por jemi duke bërë pastrim etnik të këtij vendi më shumë se vitet e ’90-ta. Fajet i kanë vet pse nuk e kanë marrë me e shqyrtuar mirë, me e lexuar mirë se çka po duan me votuar. Unë e thashë që nuk e përjashtojë mundësinë e presionit që ju ka ardhur nga jashtë, por ne fituam fukarallëk, është një fjalë popullore që unë nuk mundem me thanë, por po e them që na fituam fukarallëk”, tha Jashari transmeton.

Inatet personale, sipas Jasharit janë mes të gjithë politikanëve në Kosovë dhe duke i njohur politikanët tanë, familja Jashari gjithmonë ka kërkuar unitet.

Jashari shprehet se deri më tani nuk ka parë se ka unitet mes politikanëve, duke theksuar se shteti po shkon drejt një kolapsi për shkak të krizës politike e ekonomike në vend.

“Deri më sot nuk ka unitet, nuk po duket që ka. Shpresoj dhe lus Zotin që këta të gjejnë gjuhë të përbashkët. Kosova është në një krizë për kolaps të madh. E para, pandemia, që e ka kapluar krejt botën por që ne jemi shtet i vogël, i varfër edhe do më na hëngër, dhe jemi gati në kolaps. Gjykata Speciale anën tjetër. Dialogu. Nuk kalojnë ligjet, nuk kalon as ai për rimëkëmbjen, as për veteranët, as për kurrgjë. Do të thotë, me thanë ky send është duke ec mirë, asnjë send. Që nga paslufta, ka ardhur momenti që liderët tonë politik, me ndje veten tamam në vena që kanë gjak shqiptari dhe ia donë të mirën këtij vendi për hirë të dëshmorëve”, tha Jashari.

Ai u shpreh se që nga paslufta, Kosova nuk ka qenë asnjëherë më në rrezik se tani.

“Spektri politik e kanë shumë të lehtë, me u ul edhe me i zgjedh të gjitha këto gjëra. Por, nëse sot nuk e bëjnë le ta kujtojnë e mendojnë mirë që ndoshta pas disa vitesh, fëmijët e tyre dhe ata që i kanë të vegjël, kanë me i qortuar. Do të jetë vonë dikur. Nuk jemi tu e analizuar ndodha shumë mirë, por ky vend nuk ka qenë më rrezik nga paslufta. Fatkeqësisht është shumë keq”, tha Jashari./Insajderi.com