Jashari: Qeveria nuk më ka njoftuar për vizitën e zyrtarit serb në Drenicë

Jashari: Qeveria nuk më ka njoftuar për vizitën e zyrtarit serb në Drenicë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka deklaruar se nuk ka qenë i informuar për vizitën e drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në manastirin e Bajës në komunën të cilën ai e udhëheq, shkruan Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Jashari ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, për të cilën tha se nuk e ka njoftuar për vizitën e Petkoviq.

Sipas tij, Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme është dashur të kenë koordinim të plotë me të si Kryetar i Komunës së Skenderajt.

“Veprime të tilla fatkeqësisht japin shembull jo të mirë të qeverisjes dhe si të tilla nuk duhet të përseriten. Qytetarë të nderuar, ky nuk është shteti për të cilin luftuan e sakrifikuan dëshmorët e heronjtë tonë. Kjo nuk duhet të jetë menyra e qeverisjes sonë demokratike dhe në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar i pari i Skenderajt.

Tutje, ai u ka kërkuar falje familjeve të dëshmorëve, viktimave civile të luftës dhe të gjithë qytetarëve të vendit, për siç tha ai, ‘vizitën e padëshiruar’ të Petkoviq.

/Insajderi.com