Jashari: U kërkua të ndalen kamerat nëpër shkolla në ditën e zgjedhjeve

Jashari: U kërkua të ndalen kamerat nëpër shkolla në ditën e zgjedhjeve

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, thotë se të shtunën gjatë ditës është informuar nga drejtorët e shkollave që ata kanë pranuar telefonata (siç kanë thënë nga KKZ) nga persona të cilët kanë kërkuar që më 14 shkurt të ndalen kamerat në vendvotime, njofton Insajderi.

Kështu është shprehur ai me anë të një postimi në Facebook, ku thotë se Komisioni Qendror Zgjedhor, përmes zyrtarit Nexhmedin Hyseni ka dërguar në drejtim të KKZ- Skenderaj një e-mail përmes së cilës ka urdhëruar KKZ-në që të ndalen kamerat në vendvotime, me pretekstin që “ky veprim është i kundërligjshëm në cenimin e lirive dhe të drejtave të votuesve”.

“Një shkresë e tillë e dërguar një ditë para zgjedhjeve, vetëm për komunën tonë, është e papranueshme dhe kundër demokracisë që synojmë të ndërtojmë”, ka shkruar ai.

“Nëse prania e kamerave në vendvotime (klasa) gjatë votimit është shkelje atëherë përse këto kamera janë vendosur dhe funksionojnë në shkollat e Kosovës dhe janë funksionale gjatë procesit mësimor”. /Insajderi.com