Jashari uron VV-në

Jashari uron VV-në

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ia ka uruar fitoren Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit, derisa ka thënë se ende duhet të punohet për reformën zgjedhore, që sipas tij, do të mundësonte rritjen e transparencës dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor, njofton Insajderi.

Këto komente, Jashari, i bëri përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, duke shtuar se Kosova dje kaloi një tjetër test të demokracisë.

“Shteti ynë dje kaloj edhe një tjetër test të demokracisë, duke përfunduar me sukses procesin zgjedhor për Parlamentin e Republikës së Kosovës. Me gjithë rezultatet e shënuara në organizimin e zgjedhjeve ende duhet të punohet në zhvillimin e reformës zgjedhore që do të mundësojë rritjen e transparencës dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor. Njëkohësisht dëshiroj që të uroj Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e arritur në këto zgjedhje parlamentare”, shkroi Jashari.

Ai renditi disa çështje që presin Kosovën me t’u formuar institucionet, për çka, Jashari bëri thirrje që të ndodhë sa më shpejt.

“Mbetet jetike që sa më shpejtë të konsolidohen institucionet tona qendrore për t’u marrë intensivisht me menaxhimin efikas të pandemisë COVID-19, rimëkëmbjen ekonomike, luftimin e korrupsionit e nepotizmit, rritjen e punësimit dhe integrimin e vendit në mekanizmat ndërkombëtar”, shtoi Jashari.

Bekim Jashari bojkotoi zgjedhjet e djeshme parlamentare, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi që të ndalen kamerat e shkollave nëpër klasa gjatë votimeve më Skenderaj, gjë të cilën e kundërshtoi publikisht Jashari./Insajderi.com