Gastronomët do të organizojnë tubim para ndërtesës së Qeverisë të martën, si shenjë revolte për mos-hapjen e sezonit veror.
Java e ardhshme është vendimtare për lehtësimin e masave kundër përhapjes së COVID-19 dhe hapjen e sezonit veror.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka kërkuar Odës së Hotelerisë dhe Turizmit për t’i dhënë kohë deri më 26 maj, pasi, sipas tij, është në pritje të disa rezultateve të hulumtimeve që janë duke u bërë në terren dhe se kjo është arsyeja që akoma nuk po merret një vendim për lirimin e masave ndaj sektorëve që vazhdojnë të jenë të mbyllur.
Kryetari i OHT-së, Hysen Sogojeva, në një prononcim për Insajderi-n, tha se nuk do të përkrahin asnjë iniciativë të ndërmarrë nga organizatat/shoqatat e tjera dhe do t’i qëndrojnë në fjalë ministrit Vitia.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me ministrin Vitia. Para disa ditësh kemi pasur një takim dhe jemi dakorduar që më 26 maj të mbajmë një takim të radhës ku do të merret një vendim lidhur me hapjen e sezonit veror, duke analizuar po ashtu edhe situatën epidemiologjike”, pohoi ai.
Por, në rast se nuk iu përshtaten vendimet e Qeverisë të nxjerra pas takimit të paraparë të mbahet javën e ardhshme, Sogojeva theksoi se do të marrin masa.
“Nëse nuk na përshtaten vendimet e MSH-së sigurisht se do të marrim masa dhe do të ulemi e t’i shqyrtojmë ato. Por, kam, besim se do të lirohen masat dhe ne sigurisht se duhet t’i respektojmë udhëzimet e dhëna nga MSH-ja”.
Përkundër faktit që vazhdimisht kanë kërkuar lehtësim të masave, Shoqata e Gastronomëve thotë se nuk ka marrë asnjë premtim nga ministri Arben Vitia.
Madje, me këtë të fundit, kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, deklaroi se nuk ka pasur fare takim ditëve të fundit.
“Kjo është dhe arsyeja që kemi organizuar tubim para qeverisë të martën”, deklaroi Kllokoqi për Insajderi-n.
Gastronomët do të organizojnë tubim para ndërtesës së Qeverisë të martën, si shenjë revolte për mos-hapjen e sezonit veror.
Sipas tyre, “mungesa e vaksinave, mos-shqyrtimi i masave në fuqi, mos-planifikimi për hapje te verës, mos bashkëpunimi i Ministrisë së Shëndetësisë në hartimin e masave për të gjithë është pakënaqësi e madhe, sidomos kur rajoni po hapet”.
Thirrje për hapje të sezonit veror, MSH-së i bën edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Sipas tij, kjo verë duhet të jetë në kapacitetin e plotë të punës, “ndryshe mund të ketë pasojë në ekonomi”.
“Vendet e rajonit veçse janë hapur, prandaj mendoj se edhe vendi ynë duhet ta bëjë të njëjtën. Është viti i dytë pa qarkullim dhe do të jetë shumë më e vështirë kësaj here, sidomos për disa biznese”, theksoi Rukiqi.
Ai pohoi se gjatë vitit të kaluar, në muajt e verës ka pasur rënie të qarkullimit rreth 500 milionë euro.
Gazeta ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë për të kuptuar nëse planifikohet hapje e sezonit veror dhe nëse janë në përgatitje të udhëzimit për masat mbrojtëse, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje./Insajderi.com