Javën që vjen merret vendimi për mënyrën e mbajtjes së procesit mësimor

Javën që vjen merret vendimi për mënyrën e mbajtjes së procesit mësimor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe drejtoritë Komunale të Arsimit ende nuk kanë një vendim final për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor në kohën kur vendi po vazhdon të përballet me pandeminë Coronavirus, njofton Insajderi.

Gjatë një takimi sot kanë diskutuar lidhur me opsionet për mënyrën e vazhdimit të procesit mësimor, ku një nga propozimet ishte që nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën të kthehen në shkollë, ndërsa për klasat nga e gjashta deri në të nëntën dhe për nxënësit e shkollave tw mesme të vendosin komunat.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, tha me këtë rast se do të kenë edhe një takim tjetër javën e ardhshme, në të cilin do të sqarohet çdo gjë sa i përket nisjes së vitit të ri shkollor.

Ai tha se po bëhen të gjitha përgatitjet për t’iu përgjigjur tri opsioneve për fillimin e procesit mësimor, megjithatë kërkoi që vendimi përfundimtar të merret nga Qeveria e Kosovës, kërkesë e cila u përkrah edhe nga drejtorët e DKA-ve.

“Unë kisha propozuar që vendimin përfundimtar ta marrë përmes Qeverisë së Kosovës, do të thotë me master-plan, me propozime konkrete, të cilat do të dërgohen në qeveri dhe qeveria të marrë këtë vendim, ndërsa ne kemi për obligim ta zbatojmë këtë vendim”.

Ministri Likaj gjithashtu tha se janë duke punuar që t’i përfshijë edhe rreth 1 mijë mësimdhënës ndihmës, të cilët do t’i ndihmojnë arsimtarët që kanë probleme shëndetësore.

Në këtë takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Tahiri, i cili tha se Qeveria duhet të marrë një vendim i cili do të jetë ekzekutiv dhe për të gjithë sektorin e arsimit.

“Si Qeveri ne duhet të marrim një vendim, vendim i cili do të jetë ekzekutiv dhe do të jetë për të gjithë sektorin e arsimit. Po ashtu, e dini se duhet të miratohet një master-plan me tri opsione që pak a shumë janë diskutuar dhe në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike jemi duke punuar që në mënyrë eksplicite të vendosen parametrat për mbështetje financiare të këtij sektori…Do të përpilojmë një stimulim financiar, i cili do të mundësojë zbatimin e këtij procesi. Po ashtu, do të bëjmë një vlerësim se si dhe në ç‘masë është shpenzuar buxheti, në mënyrë që një pjesë e tepricës së buxhetit të mund të shfrytëzohet dhe të shpenzohet për arsimin primat që ju e udhëhiqni”.

Ndërsa Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi, tha se në një takim që ka zhvilluar me kryetarët e Komunave dhe drejtorët e Arsimit kanë kërkuar një vendimmarrje më të shpejtë se si do të zhvillohet procesi mësimor.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, tha se do të mbështesin çdo angazhim për fillimin e vitit të ri shkollor, por paralajmëroi ndërprerje të procesit mësimor nëse në shkolla nuk do të ketë kushte higjienike dhe masa mbrojtëse për mësimdhënësit.

Jashari tha më pas se SBASHK-u nuk do të lejojë që mësimdhënësve t’iu shtohen normat, për çka tha se çdo lëvizje me normat nuk do ta pranojnë dhe do ta kundërshtojnë.

Ai po ashtu, ka kërkuar që sipas mundësive të testohen mësimdhënësit para fillimit të procesit mësimor.

Kthimin në objektet shkollore e kanë kërkuar edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Përfaqësuesi nga ky Këshill Burim Bruqaj, tha se si prindër e mbështesim kthimin e nxënësve në shkolla pasi mësimi online nuk ka qenë i suksesshëm.

Edhe drejtorët komunalë të Arsimit e kanë përkrahur idenë për kthimin e nxënësve në shkolla, qoftë përmes skenarit A, që parasheh kthimin në shkolla me masa parandaluese, apo skenarin B që nënkupton rikthimin e pjesshëm./Insajderi.com