Jeffrey Hovenier betohet si ambasador i SHBA-së në Kosovë

Jeffrey Hovenier betohet si ambasador i SHBA-së në Kosovë

Jeffrey Hovenier është betuar si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, para Nënsekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, përmes një postimi në Twitter, ku ka publikuar edhe disa fotografi nga ceremonia e betimit.

“Të martën, Jeffrey Hovenier është betuar para Nënsekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland, si Ambasador i ri i Sheteve të Bashkuara në Kosovë. Po presim arritjen e tij”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Hovenier është nominuar nga presidenti amerikan, Joe biden, në korrik të këtij viti – si pasues i tashmë ish ambasadorit, Philip Kosnett.

Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Lidhjen e ngushtë me Kosovën, Hovenier e kishte konfirmuar në vitin 2018, kur ishte dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur ai./Insajderi.com