Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Ferizajt, Bekim Ademi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, njofton Insajderi.
Lajmin e ka bërë ditur vetë Ademi, i cili ishte anëtar i Nismës Socialdemokrate, ndërsa bëri të ditur se më nuk do të jetë pjesë e asnjë partie politike.
Në letrën e tij të dorëheqjes drejtuar kryetarit të komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ai ka shkruar se ka pasur presion të vazhdueshëm nga Nisma dhe trysni që ai të jetë edhe kandidat për deputet nga kjo parti, në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Duke pasur parasysh presionin e vazhdueshëm të zyrtarëve brenda këtij subjekti, dhe së voni edhe trysninë që pavullnetin tim të më kandidojë për deputeti në Parlamentin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet që do mbahen në muajin shkurt të këtij viti dhe mos gatishmërisë sime për të qenë pjesë e kësaj liste zgjedhore konsideroj se angazhimi im ishte i përqendruar në punën dhe menaxhimin e sistemit shëndetësor si dhe gjendjen me pandeminë Covid 19 në të cilën po kalon vendi”, ka shkruar ai./Insajderi.com